Gjyqtarët 14:5-20 Bibla Shqip (ALBB)

5. Pastaj Sansoni zbriti me të atin dhe me të ëmën në Timnah; sapo arritën në vreshtat e Timnahut, një luan i vogël u doli përpara duke ulëritur.

6. Atëherë Fryma e Zotit zbriti në mënyrë të fuqishme mbi të dhe ai, pa pasur asgjë në dorë, e shqeu luanin, ashtu si shqyhet një kec; por nuk i tha asgjë atit dhe nënës së tij për atë që kishte bërë.

7. Pastaj zbriti dhe i foli gruas, dhe ajo i pëlqeu Sansonit.

8. Mbas disa ditësh ai u kthye për ta marrë me vete dhe doli nga rruga për të parë skeletin e luanit; dhe ja, në trupin e luanit kishte një mori bletësh dhe mjaltë.

9. Ai mori pak mjaltë në dorë dhe filloi ta hajë ndërsa po ecte; kur arriti tek i ati dhe tek e ëma, u dha edhe atyre dhe ata e hëngrën; por nuk u tha që e kishte marrë mjaltin nga trupi i luanit.

10. Pastaj i ati zbriti tek ajo grua, dhe aty Sansoni shtroi një gosti siç e kishin zakon të rinjtë.

11. Dhe ndodhi që, kur njerëzit e panë vendit, ata morën tridhjetë shokë, që të rrinin bashkë me të.

12. Sansoni u tha atyre: "Unë do t'ju propozoj një gjëzë; në rast se ju arrini të gjeni shpjegimin e saj të ma njoftoni brenda shtatë ditëve të gostisë, do t'ju jap tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash;

13. por në rast se nuk mund të ma shpjegoni, do të më jepni mua tridhjetë tunika dhe tridhjetë ndërresa rrobash".

14. Ata iu përgjigjën: "Propozo gjëzën tënde, që ta dëgjojmë". Ai u tha atyre: "Nga gllabëruesi doli ushqimi, dhe nga i forti doli e ëmbla". Tri ditë me radhë ata nuk arritën ta shpjegojnë gjëzën.

15. Ditën e shtatë i thanë bashkëshortes së Sansonit: "Mbushja mendjen burrit tënd që të na shpjegojë gjëzën; ndryshe do të të djegim ty dhe do t'i vëmë flakën shtëpisë së atit tënd. A na keni ftuar për të na zhveshur? Vallë a s'është ashtu?".

16. Gruaja e Sansonit qau para tij dhe i tha: "Ti ke vetëm urrejtje ndaj meje dhe nuk më do; ti u propozove një gjëzë bijve të popullit tim, por nuk ia shpjegova as atit tim; as nënës sime, pse duhet të ta shpjegoj ty?".

17. Ajo qau para tij gjatë shtatë ditëve të festës. Kështu ditën e shtatë Sansoni ia shpjegoi, sepse e mërziste; pastaj ua shpjegoi gjëzën bijve të popullit të saj.

18. Njerëzit e qytetit, ditën e shtatë, para se të perëndonte dita, i thanë Sansonit: "A ka gjë më të ëmbël se mjalti? A ka gjë më të fortë se luani?". Dhe ai iu përgjigj atyre: "Po të mos kishit lëruar me mëshqerrën time, nuk do ta kishit zgjidhur gjëzën time".

19. Atëherë Fryma e Zotit erdhi mbi të në mënyrë të fuqishme, dhe ai zbriti deri në Ashkelon, vrau tridhjetë njerëz nga ata, mori plaçkat e tyre dhe u dha ndërresat e rrobave atyre që e kishin shpjeguar gjëzën. Kështu zemërimi i tij u ndez; pastaj ai u ngjit përsëri në shtëpinë e të atit.

20. Por gruan e Sansonit ia dhanë shokut të tij, që kishte qenë shoku i tij më i mirë.

Gjyqtarët 14