Gjyqtarët 13:9-24 Bibla Shqip (ALBB)

9. Perëndia e dëgjoi zërin e Manoahut; dhe Engjëlli i Perëndisë u kthye përsëri te gruaja, ndërsa ajo ndodhej në arë, por burri i saj Manoah nuk ishte me të.

10. Dhe gruaja me të shpejtë shkoi të informojë bashkëshortin e saj dhe i tha: "Ja, m'u shfaq ai burrë, që erdhi tek unë pardje".

11. Atëherë Manoahu u ngrit dhe ndoqi gruan e tij dhe, kur arritën tek ai njeri, i tha: "Ti je ai njeri që i foli kësaj gruaje?". Ai u përgjigj: "Jam unë".

12. Por Manoahu tha: "Kur të realizohet fjala jote, cili duhet të jetë stili i jetës së djalit dhe ç'duhet të bëjë?".

13. Engjëlli i Zotit iu përgjigj Manoahut: "Gruaja duhet të ketë kujdes për të gjitha ato që i thashë.

14. Të mos hajë asnjë nga prodhimet e rrushit, të mos pijë verë a pije dehëse, dhe të mos hajë asnjë gjë të papastër; të ketë parasysh të gjitha porositë që i kam urdhëruar".

15. Atëherë Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Na lejo të të mbajmë dhe të të përgatisim një kec!".

16. Engjëlli i Zotit iu përgjigj Manoahut me këto fjalë: "Edhe sikur të më mbash nuk do ta ha ushqimin tënd; por në rast se ti dëshiron të bësh një holokaust, ofroja Zotit". (Manoahu nuk e dinte se ai ishte Engjëlli i Zotit).

17. Pastaj Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Cili është emri yt që të realizohen fjalët e tua, ne të kemi mundësi të të nderojmë?".

18. Engjëlli i Zotit iu përgjigj: "Pse vallë kërkon të mësosh emrin tim? Ai është i mrekullueshëm".

19. Kështu Manoahu mori kecin dhe blatimin e ushqimit dhe ia ofroi Zotit mbi gurin. Atëherë Engjëlli bëri një mrekulli, ndërsa Manoahu dhe e shoqja shikonin;

20. ashtu si flaka ngjitej nga altari në qiell, Engjëlli i Zotit u ngjit me flakën e altarit. Duke parë këtë, Manoahu bashkë me gruan e tij ranë përmbys për tokë.

21. Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më as Manoahut, as bashkëshortes së tij. Atëherë Manoahu kuptoi se ai ishte Engjëlli i Zotit.

22. Manoahu i tha pastaj bashkëshortes së tij: "Ne me siguri do të vdesim, sepse pamë Perëndinë".

23. Por e shoqja i tha: "Po të kishte dashur me të vërtetë vdekjen tonë, Zoti nuk do të kishte pranuar nga duart tona holokaustin dhe blatimin e ushqimit, as do të na kishte treguar tërë këto gjëra, dhe tani nuk do të bënte që të dëgjonim gjëra si këto".

24. Pastaj gruaja lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Sanson. Fëmija u rrit dhe Zoti e bekoi.

Gjyqtarët 13