Gjyqtarët 13:16-25 Bibla Shqip (ALBB)

16. Engjëlli i Zotit iu përgjigj Manoahut me këto fjalë: "Edhe sikur të më mbash nuk do ta ha ushqimin tënd; por në rast se ti dëshiron të bësh një holokaust, ofroja Zotit". (Manoahu nuk e dinte se ai ishte Engjëlli i Zotit).

17. Pastaj Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Cili është emri yt që të realizohen fjalët e tua, ne të kemi mundësi të të nderojmë?".

18. Engjëlli i Zotit iu përgjigj: "Pse vallë kërkon të mësosh emrin tim? Ai është i mrekullueshëm".

19. Kështu Manoahu mori kecin dhe blatimin e ushqimit dhe ia ofroi Zotit mbi gurin. Atëherë Engjëlli bëri një mrekulli, ndërsa Manoahu dhe e shoqja shikonin;

20. ashtu si flaka ngjitej nga altari në qiell, Engjëlli i Zotit u ngjit me flakën e altarit. Duke parë këtë, Manoahu bashkë me gruan e tij ranë përmbys për tokë.

21. Engjëlli i Zotit nuk iu shfaq më as Manoahut, as bashkëshortes së tij. Atëherë Manoahu kuptoi se ai ishte Engjëlli i Zotit.

22. Manoahu i tha pastaj bashkëshortes së tij: "Ne me siguri do të vdesim, sepse pamë Perëndinë".

23. Por e shoqja i tha: "Po të kishte dashur me të vërtetë vdekjen tonë, Zoti nuk do të kishte pranuar nga duart tona holokaustin dhe blatimin e ushqimit, as do të na kishte treguar tërë këto gjëra, dhe tani nuk do të bënte që të dëgjonim gjëra si këto".

24. Pastaj gruaja lindi një djalë të cilit ia vunë emrin Sanson. Fëmija u rrit dhe Zoti e bekoi.

25. Fryma e Zotit filloi të lëvizë mbi të në kampin e Danit, midis Tsorahut dhe Eshtaolit.

Gjyqtarët 13