Gjyqtarët 12:3-15 Bibla Shqip (ALBB)

3. Kështu, duke parë se nuk më vinit në ndihmë, vura në rrezik jetën time dhe marshova kundër bijve të Amonit, dhe Zoti m'i dha në duart e mia. Pse, pra, jeni ngritur sot kundër meje për të më luftuar?".

4. Pastaj Jefteu mblodhi tërë njerëzit e Galaadit dhe u ndesh me Efraimin; dhe njerëzit e Galaadit e mundën Efraimin, sepse këta thoshin: "Ju galaaditët jeni ikanakë të Efraimit në mes të Efraimit dhe në mes të Manasit!".

5. Njerëzit e Galaadit zunë vatë e Jordanit para se të arrinin ata të Efraimit; kështu kur ndonjë nga ikanakët e Efraimit thoshte: "Më lini të kaloj", njerëzit e Galaadit e pyesnin: "A je ti një Efraimit?". Në rast se ai përgjigjej: "Jo", galaaditët i thoshin:

6. "Atëherë thuaj Shiboleth; në rast se ai thoshte "Shiboleth", sepse nuk mund ta shqiptonte si duhet, e kapnin dhe e vrisnin pranë vaut të Jordanit. Në atë kohë u vranë në këtë mënyrë dyzet e dy mijë njerëz të Efraimit.

7. Jefteu ushtroi funksionin e gjyqtarit gjashtë vjet me radhë. Pastaj Jefteu, galaaditi, vdiq dhe u varros në një nga qytetet e Galaadit.

8. Mbas tij gjyqtar i Izraelit u bë Ibtsani nga Betlemi.

9. Ai pati tridhjetë bij; martoi tridhjetë bijat e tij dhe solli nga jashtë tridhjetë vajza për bijtë e tij. Qe gjyqtar i Izraelit shtatë vjet me radhë.

10. Pastaj Ibtsani vdiq dhe u varros në Betlem.

11. Mbas tij gjyqtar i Izraelit u bë Eloni, Zabulonit; qe gjyqtar i Izraelit dhjetë vjet me radhë.

12. Pastaj Eloni, Zabulonit, vdiq dhe e varrosën në Ajalon, në vendin e Zabulonit.

13. Mbas tij qe gjyqtar i Izraelit Abdoni, bir i Hilelit, Pirathoniti.

14. Ai pati dyzet bij dhe tridhjetë nipa, që u hipnin shtatëdhjetë gomarëve të vegjël. Ai qe gjyqtar i Izraelit tetë vjet me radhë.

15. Pastaj Abdoni, bir i Hilelit, Pirathoniti, vdiq dhe e varrosën në Pirathon, në vendin e Efraimit, në krahinën malore të Amalekut.

Gjyqtarët 12