Gjyqtarët 11:31-40 Bibla Shqip (ALBB)

31. çfarë të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më pritur kur të kthehem fitimtar nga bijtë e Amonit, do t'i përkasë Zotit dhe unë do t'ia ofroj si holokaust".

32. Kështu Jefteu marshoi kundër bijve të Amonit për t'u bërë luftë, dhe Zoti ia dha në dorë.

33. Ai i mundi duke bërë një masakër të madhe, nga Aroeri deri në drejtim të Minithit (duke u marrë njëzet qytete) dhe deri në Abel-Keramim. Kështu bijtë e Amonit u poshtëruan përpara bijve të Izraelit.

34. Pastaj Jefteu u kthye në shtëpinë e tij, në Mitspah; dhe ja që i doli për ta pritur e bija me dajre dhe valle. Ajo ishte bija e vetme e tij, sepse ai nuk kishte djem ose vajza të tjera.

35. Sa e pa, grisi rrobat e tij dhe tha: "Oh, bija ime, ti po më bën shumë fatkeq, ti po më sjell mjerim! Unë i kam dhënë fjalën Zotit dhe nuk mund të tërhiqem".

36. Ajo i tha: "O atë, në rast se i ke dhënë fjalën Zotit, vepro me mua sipas fjalëve që kanë dalë nga goja jote, sepse Zoti ta mori hakun me armiqtë e tu, bijtë e Amonit".

37. Pastaj i tha të atit: "Të më lejohet kjo e drejtë: lërmë të lirë dy muaj, në mënyrë që të sillem nëpër male duke qarë virgjërinë time me shoqet e mia".

38. Ai iu përgjigj: "Shko!". Dhe e la të shkonte për dy muaj. Kështu ajo shkoi me shoqet e saj dhe qau ndër male virgjërinë e saj.

39. Mbas dy muajsh ajo u kthye tek i ati; dhe ai veproi me të sipas kushtit që kishte lidhur. Ajo nuk kishte njohur burrë. Kështu u bë zakon në Izrael

40. që bijat e Izraelit të shkojnë çdo vit e të qajnë bijën e Jefteut, galaaditit, katër ditë me radhë.

Gjyqtarët 11