11. Pastaj Jefteu shkoi tek pleqtë e Galaadit dhe populli e zgjodhi komandant dhe udhëheqës të tij; dhe Jefteu përsëriti para Zotit në Mitspah tërë fjalët që pati thënë më parë.
12. Pastaj Jefteu i dërgoi lajmëtarë mbretit të bijve të Amonit për t'i thënë: "Çfarë ka midis teje dhe meje, që ti të vish e të bësh luftë në vendin tim?".
13. Mbreti i bijve të Amonit iu përgjigj me këto fjalë lajmëtarëve të Jefteut: "Sepse, kur Izraeli doli nga Egjipti, ai pushtoi vendin tim, nga Arnoni deri në Jabok dhe në Jordan. Tani, pra, m'i kthe këto toka në mënyrë miqësore".
14. Jefteu i dërgoi përsëri lajmëtarë mbretit të bijve të Amonit për t'i thënë:
15. "Kështu thotë Jefteu: Izraeli nuk shtiu në dorë as vendin e Moabit, as vendin e bijve të Amonit;
16. por kur Izraeli doli nga Egjipti dhe kapërceu shkretëtirën deri në Detin e Kuq dhe arriti në Kadesh,
17. i dërgoi lajmëtarë mbretit të Edomit për t'i thënë: "Të lutem më lër të kaloj nëpër vendin tënd"; por mbreti i Edomit nuk pranoi. I dërgoi lajmëtarë edhe mbretit të Moabit, por edhe ky nuk pranoi. Kështu Izraeli mbeti në Kadesh.
18. Duke ecur pastaj nëpër shkretëtirë, shkoi rreth vendit të Edomit dhe vendit të Moabit e arriti në lindje të vendit të Moabit; dhe ngriti kampin e tij matanë Arnonit, pa hyrë të territorin e Moabit, sepse Arnoni përfaqëson kufirin e Moabit.
19. Pastaj Izraeli i dërgoi lajmëtarë Sihonit, mbretit të amorenjve, dhe të Heshbonit, dhe i tha: "Të lutemi, na lër të kalojmë nëpër vendin tënd për të arritur në tonin".
20. Por Sihoni nuk pati besim ta lërë të kalojë Izraelin nëpër territorin e tij; përkundrazi Sihoni i mblodhi gjithë njerëzit e tij të cilët u vendosën në Jahats dhe luftoi kundër Izraelit.
21. Por Zoti, Perëndia i Izraelit e dha Sihonin dhe gjithë njerëzit e tij në duart e Izraelit, që i mundi; kështu Izraeli pushtoi tërë vendin e amorenjve, që banonin në atë krahinë;
22. pushtoi tërë territorin e amorenjve, nga Arnoni në Jabok dhe nga shkretëtira deri në Jordan.
23. Dhe tani që Zoti, Perëndia i Izraelit, ka dëbuar amorenjtë përpara popullit të Izraelit, ti dëshiron të zotërosh vendin e tyre?
24. A nuk zotëron ti atë që Kemoshi, zoti yt, të ka dhënë në zotërim? Kështu edhe ne do të zotërojmë vendin e atyre që Zoti ka dëbuar para nesh.
25. Mos je ti, vallë, më i mirë se Balaku, bir i Tsiporit dhe mbret i Moabit? A pati ndofta mosmarrëveshje me Izraelin, apo i bëri luftë?
26. Kaluan treqind vjet që Izraeli banon në Heshbon dhe në fshatrat e tij përreth, në Aroer dhe në fshatrat e tij përreth dhe në të gjitha qytetet mbi brigjet e Arnonit; pse nuk ja keni marrë gjatë kësaj kohe?
27. Prandaj unë nuk të kam bërë asnjë padrejtësi dhe ti sillesh keq me mua duke më bërë luftë. Zoti, gjyqtari, le të vendosë sot drejtësinë midis bijve të Izraelit dhe bijve të Amonit!".