Gjoni 8:14-24 Bibla Shqip (ALBB)

14. Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: ''Edhe pse dëshmoj për vetvete, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.

15. Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri.

16. Por, edhe kur gjykoj, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jam unë dhe Ati që më dërgoi.

17. Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë.

18. Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua''.

19. Atëherë i thanë: ''Ku është Ati yt?''. Jezusi u përgjigj: ''Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim''.

20. Jezusi i shprehu këto fjalë në vendin e thesarit, duke mësuar në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur akoma ora.

21. Jezusi, pra, u tha atyre përsëri: ''Unë po shkoj dhe ju do të më kërkoni, dhe do të vdisni në mëkatin tuaj. Atje ku shkoj unë, ju nuk mund të vini''.

22. Prandaj judenjtë thoshin: ''Mos do të vrasë veten, sepse thotë: "Ku shkoj unë, ju nuk mund të vini"?''.

23. Dhe ai u tha atyre: ''Ju jeni nga këtu poshtë, kurse unë jam nga atje lart; ju jeni prej kësaj bote, unë nuk jam prej kësaj bote.

24. Prandaj ju thashë se ju do të vdisni në mëkatet tuaja, sepse po të mos besoni se unë jam, ju do të vdisni në mëkatet tuaja''.

Gjoni 8