Gjoni 6:32-42 Bibla Shqip (ALBB)

32. Atëherë Jezusi u tha atyre: ''Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se jo Moisiu jua ka dhënë bukët nga qielli, por Ati im ju jep bukën e vërtetë nga qielli.

33. Sepse buka e Perëndisë është ai që zbret nga qielli dhe i jep jetë botës''.

34. Atëherë ata i thanë: ''Zot, na jep gjithmonë atë bukë''.

35. Dhe Jezusi u tha atyre: ''Unë jam buka e jetës; kush vjen tek unë nuk do të ketë më kurrë uri dhe kush beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje.

36. Por unë jua thashë: ju më keni parë, por nuk besoni.

37. Gjithçka që më jep Ati do të vijë tek unë; dhe atë që vjen tek unë, unë nuk do ta nxjerr jashtë kurrë,

38. sepse unë kam zbritur nga qielli jo për të bërë vullnetin tim, por vullnetin e atij që më ka dërguar.

39. Ky është vullneti i Atit që më ka dërguar: që unë të mos humbas asgjë nga të gjitha ato që ai më ka dhënë, por t'i ringjall në ditën e fundit.

40. Ky, pra, është vullneti i atij që më ka dërguar: që kushdo që sheh Birin dhe beson në të, të ketë jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit''.

41. Judenjtë, pra, murmurisnin për të, sepse kishte thënë: ''Unë jam buka që zbriti nga qielli'',

42. dhe thoshin: ''Vallë, a nuk është ky Jezusi, biri i Jozefit, të cilit ia njohim babanë dhe nënën? Si thotë, pra, ky: "Unë zbrita nga qielli"?''.

Gjoni 6