Gjoni 20:5-18 Bibla Shqip (ALBB)

5. Dhe, si u përkul, pa pëlhurat prej liri që ishin në varr, por nuk hyri aty.

6. Arriti edhe Simon Pjetri që po e ndiqte, hyri në varr dhe pa pëlhurat prej liri që ishin përtokë,

7. dhe rizën, që qe vënë mbi kokën e Jezusit; ajo nuk ishte bashkë me pëlhurat, por ishte e palosur në një vend, veç.

8. Atëherë hyri edhe ai dishepull tjetër që kishte arritur i pari te varri, pa dhe besoi.

9. Ata në fakt, nuk e kishin kuptuar ende Shkrimin, sipas të cilit ai duhet të ringjallej së vdekurish.

10. Pastaj dishepujt u kthyen përsëri në shtëpi.

11. Por Maria kishte mbetur jashtë varrit, dhe po qante. Dhe, duke qarë, u përkul brenda varrit,

12. dhe pa dy engjëj, të veshur me të bardha, ndenjur njëri te kryet dhe tjetri te këmbët e vendit, ku qe trupi i Jezusit.

13. Ata i thanë: ''O grua, pse po qan?''. Ajo u përgjigj atyre: ''Sepse e kanë hequr Zotin tim, dhe nuk e di ku e kanë vënë''.

14. Si tha këtë, ajo u soll prapa dhe pa Jezusin, që qëndronte në këmbë; por ajo nuk e dinte se ishte Jezusi.

15. Jezusi i tha: ''O grua, pse po qan? Kë kërkon?''. Ajo, duke menduar se ishte kopshtari, i tha: ''Zot, po e pate hequr ti, më trego ku e vure dhe unë do ta marr''.

16. Jezusi i tha: ''Mari!''. Dhe ajo atëherë u kthye dhe i tha: ''Rabboni!'', që do të thotë: Mësues.

17. Jezusi i tha: ''Mos më prek, sepse ende nuk u ngjita te Ati im; por shko te vëllezërit e mi dhe u thuaj atyre se unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj''.

18. Atëherë Maria Magdalena shkoi t'jua njoftojë dishepujve se kishte parë Zotin dhe se ai i kishte thënë këto gjëra.

Gjoni 20