Galatasve 4:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Edhe them se për sa kohë trashëgimtari është i mitur, nuk dallohet fare nga skllavi, megjithëse është zot i të gjithave,

2. por ai është nën kujdestarë dhe administratorë deri në kohën e caktuar nga i ati.

3. Kështu edhe ne, sa ishim të mitur, ishim të robëruar nën elementet e botës,

4. por, kur u mbush koha, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit,

5. që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë.

6. Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: ''Abba, Atë!''.

7. Prandaj ti nuk je më shërbëtor, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë me anë të Krishtit.

8. Por atëherë, duke mos njohur Perëndinë, u shërbyet atyre që prej natyre nuk janë perëndi;

9. kurse tani, mbasi njohët Perëndinë, më mirë të them se u njohët prej Perëndisë, vallë si ktheheni përsëri te elementet e dobët dhe të varfër, tek të cilët doni përsëri t'u nënshtroheni?

10. Sepse ju i kremtoni me kujdes disa ditë, muaj, stinë dhe vite.

11. Kam frikë se mos jam munduar më kot për ju.

12. O vëllezër, bëhuni si unë, sepse edhe unë jam si ju; ju lutem, o vëllezër, ju s'më keni bërë asnjë të keqe.

13. Dhe ju e dini se në të kaluarën unë ju predikova ungjillin me dobësi të mishit;

14. dhe ju nuk më përbuzët aspak dhe s'patët neveri për provën që ishte në mishin tim, por më pranuat si engjëll Perëndie, si Jezu Krishtin vet.

15. Cili ishte, pra, gëzimi juaj? Sepse unë dëshmoj për ju se, po të qe e mundur, ju do të nxirrnit edhe sytë tuaj dhe do të m'i jepnit mua.

16. A thua u bëra armiku juaj, duke ju thënë të vërtetën?

Galatasve 4