16. Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;
17. ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.
18. Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë.
19. Rruga e të pabesëve është si terri; ata nuk shohin atë që do t'i rrëzojë.
20. Biri im, trego kujdes për fjalët e mia, dëgjo thëniet e mia;
21. mos u largofshin kurrë nga sytë e tu, ruaji në qendër të zemrës sate;
22. sepse janë jetë për ata që i gjejnë, shërim për të gjithë trupin e tyre.
23. Ruaje zemrën tënde me shumë kujdes, sepse nga ajo dalin burimet jetës.
24. Hiq dorë nga e folura me hile dhe largo prej teje buzët e çoroditura.
25. Sytë e tu le të shohin drejt dhe qepallat e tua të synojnë drejt para teje.
26. Sheshoje shtegun e këmbëve të tua, dhe të gjitha rrugët e tua qofshin të caktuara mirë.
27. Mos u shmang as në të djathtë as në të majtë; tërhiqe këmbën tënde nga e keqja.