1. Dëgjoni, o bij, mësimet e një ati dhe tregoni kujdes që të mësoni të gjykoni,
2. sepse ju jap një doktrinë të mirë; mos braktisni ligjin tim.
3. Kur isha ende fëmijë pranë atit tim, njomëzak dhe i dashur në sytë e nënës sime,
4. ai më mësonte dhe më thoshte: "Zemra jote të kujtojë fjalët e mia; ruaji urdhërimet e mia dhe do të jetosh.
5. Fito dituri, fito gjykim; mos i harro fjalët e gojës sime dhe mos u largo prej tyre;
6. mos e braktis diturinë dhe ajo do të të mbrojë; duaje, sepse ajo do të të ndihmojë.
7. Dituria është gjëja më e rëndësishme; prandaj fito diturinë. Edhe sikur të humbasësh ato që ke, fito diturinë.
8. Përlëvdoje dhe ajo do të të lartësojë, ajo do të të japë lavdi, po qe se ti e përvetëson.
9. Ajo do të të vërë mbi kokën tënde një stoli prej nuri, do të të rrethojë me një kurorë lavdie".
10. Dëgjo, biri im, pranoji fjalët e mia dhe vitet e jetës sate do të shumohen.
11. Të kam mësuar në rrugën e diturisë, të kam udhëhequr nëpër shtigjet e ndershmërisë.
12. Kur do të ecësh, hapat e tua nuk do të pengohen; kur do të vraposh, nuk do të pengohesh.
13. Rroke mirë këtë mësim, mos e lër që të shkojë kot; ruaje, sepse ai është jeta jote.
14. Mos hyr në shtegun e të pabesëve dhe mos ec në rrugën e njerëzve të këqij;
15. evitoje atë, mos kalo nëpër të; largoju prej saj dhe shko tutje.
16. Sepse ata nuk mund të flenë, po të mos kenë bërë të keqen; gjumi i tyre zhduket po të jetë se nuk kanë rrëzuar dikë;
17. ata hanë bukën e paudhësisë dhe pinë verën e dhunës.
18. Por shtegu i të drejtëve është si drita e agimit, që shkëlqen gjithnjë e më mirë derisa të bëhet ditë e plotë.