4. Nuk u shkon mbretërve, o Lemuel, nuk u shkon mbretërve të pinë verë as princave të dëshirojnë pije dehëse,
5. sepse duke pirë të mos harrojnë ligjin dhe të mos shtrembërojnë të drejtën e të pikëlluarve.
6. Jepini pije dehëse atij që është duke vdekur dhe verë atij që e ka zemrën të hidhëruar.
7. Le të pijë për të harruar varfërinë e tij dhe për të mos kujtuar më hallet e tij.
8. Hape gojën tënde në favor të memecit, në mbrojtje të të gjithë atyre që janë lënë pas dore.
9. Hape gojën tënde, gjyko me drejtësi dhe mbro çështjen e të mjerit dhe të nevojtarit.
10. Kush do të gjejë një grua të fortë dhe të virtytshme? Vlera e saj është shumë më e madhe nga ajo e margaritarëve.
11. Zemra e burrit të saj ka besim tek ajo, dhe do të ketë gjithnjë fitime.
12. Ajo i bën të mira dhe jo të keqe tërë ditët e jetës së saj.
13. Gjen lesh dhe li dhe punon me gëzim me duart e veta.
14. Ajo u përngjan anijeve të tregtarëve: e sjell ushqimin e saj nga larg.
15. Çohet që me natë për t'i ndarë ushqimin familjes së saj dhe për t'u dhënë urdhrat e nevojshme shërbëtoreve të saj.
16. Ajo shikon një arë dhe e ble; me duart e saj mbjell një vresht.