19. Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarsinë i bëri të qëndrueshëm qiejt.
20. Me diturinë e tij u hapën humnerat dhe retë japin vesë.
21. Biri im, këto gjëra mos u largofshin kurrë nga sytë e tu. Mbaje diturinë dhe të menduarit.
22. Ato do të jenë jetë për shpirtin tënd dhe një zbukurim në qafën tënde.
23. Atëherë do të ecësh i sigurt në rrugën tënde dhe këmba jote nuk do të pengohet.
24. Kur do të biesh për të fjetur, nuk do të kesh frikë; po, do të biesh dhe gjumi yt do të jetë i ëmbël.
25. Nuk do të druash llahtarën e papritur, as shkatërrimin e të pabesëve kur do të ndodhë,
26. sepse Zoti do të jetë pranë teje dhe do të pengojë që këmba jote të kapet në ndonjë lak.
27. Mos i refuzo të mirën atij që i takon, kur e ke në dorë ta bësh.
28. Mos i thuaj të afërmit tënd: "Shko dhe kthehu; do të të jap nesër", kur e ke me vete gjënë e nevojshme.
29. Mos kurdis asnjë të keqe kundër të afërmit tënd, ndërsa ai banon me besim bashkë me ty.
30. Mos bëj padi kundër askujt pa shkak; po të jetë se nuk të ka bërë asnjë të keqe.
31. Mos ki zili njeriun e dhunshëm dhe mos zgjidh asnjë nga rrugët e tij,
32. sepse Zoti e neverit njeriun e çoroditur, por këshilla e tij është për njerëzit e ndershëm.
33. Mallkimi i Zotit është në shtëpinë e të pabesit, por ai bekon banesën e të drejtëve.
34. Me siguri ai tallet me tallësit, por i fal të përvuajturit.