Fjalët e Urta 27:11-27 Bibla Shqip (ALBB)

11. Biri im, ji i urtë dhe gëzo zemrën time, kështu do të mund t'i përgjigjem atij që përflet kundër meje.

12. Njeriu mendjemprehtë e shikon të keqen dhe fshihet, por naivët shkojnë tutje dhe ndëshkohen.

13. Merr rrobën e atij që është bërë garant për një të huaj dhe mbaje si peng për gruan e huaj.

14. Ai që bekon të afërmin e tij me zë të lartë në mëngjes herët, do t'ia zënë si mallkim.

15. Pikëllimi i vazhdueshëm në një ditë shiu të madh dhe një grua grindavece i ngjasin njëra-tjetrës.

16. Kush arrin ta përmbajë, mban erën dhe zë vajin me dorën e tij të djathtë.

17. Hekuri mpreh hekurin, kështu njeriu mpreh fytyrën e shokut të tij.

18. Kush kujdeset për fikun do të hajë frytin e tij, dhe ai që i shërben zotit të tij do të nderohet.

19. Ashtu si në ujë fytyra pasqyron fytyrën, kështu zemra e njeriut e tregon njeriun.

20. Sheoli dhe Abadoni janë të pangopur, dhe të pangopur janë gjithashtu sytë e njerëzve.

21. Poçja është për argjendin dhe furra për arin, kështu njeriu provohet nga lëvdata që merr.

22. Edhe nëse e bën përshesh gruri budallanë duke e shtypur në havan, budallallëku nuk do të largohej prej tij.

23. Përpiqu të njohësh mirë gjendjen e deleve të tua dhe ki kujdes për kopetë e tua,

24. sepse pasuritë nuk zgjatin përherë, dhe as një kurorë nuk vazhdon brez pas brezi.

25. Kur merret bari i thatë dhe del bari i njomë dhe mblidhet forazhi i maleve,

26. qengjat do të furnizojnë rrobat e tua, cjeptë çmimin e një are

27. dhe dhitë mjaft qumësht për ushqimin tënd, për ushqimin e shtëpisë sate dhe për të mbajtur shërbëtoret e tua.

Fjalët e Urta 27