10. Të jetuarit në kënaqësi nuk i shkon budallait, dhe aq më pak një shërbëtori të sundojë mbi princat.
11. Mençuria e bën njeriun të mos rrëmbehet shpejt nga zemërimi dhe është në lavdinë e tij t'i kapërcejë fyerjet.
12. Zemërimi i mbretit është si ulërima e një luani, por favori i tij është si vesa mbi bar.
13. Një bir budalla është një fatkeqësi për të atin, dhe grindjet e vazhdueshme të bashkëshortes së tij janë si një e pikuar e vazhdueshme.
14. Shtëpia dhe pasuritë janë trashëgimi nga etërit, por një bashkëshorte e mençur vjen nga Zoti.
15. Përtacia të bën të biesh në një gjumë të thellë dhe njeriu i plogët do të vuajë nga uria.
16. Kush respekton urdhërimin ruan jetën e tij, por ai që lë pas dore sjelljen e tij ka për të vdekur.
17. Ai që ka mëshirë për të varfrin i jep hua Zotit, i cili do t'ia kthejë ato që i ka dhënë.
18. Ndëshko birin tënd sa ka shpresë, por mos u shty derisa të shkaktosh vdekjen e tij.
19. Njeriu shumë gjaknxehtë duhet të ndëshkohet si pasojë e kësaj, sepse po nuk u ndëshkua, ai do të bëhet edhe më tepër gjaknxehtë.
20. Dëgjo këshillën dhe prano mësimet, që ti të bëhesh i urtë për kusurin e ditëve të tua.
21. Ka shumë plane në zemrën e njeriut, por vetëm plani i Zotit do të mbetet i pandryshuar.
22. Ajo që dëshiron njeriu është mirësia dhe një i varfër vlen më tepër se një gënjeshtar.
23. Frika e Zotit të çon në jetë; kush e ka do të mbetet i ngopur dhe nuk do të preket nga asnjë e keqe.
24. Përtaci e zhyt dorën e tij në pjatë, por nuk arrin as ta çojë në gojë.
25. Godite tallësin dhe njeriu i thjeshtë do të bëhet mendjehollë; qorto atë që ka mend dhe ai do të fitojë dituri.