2. Kush ecën në drejtësinë e tij ka frikë nga Zoti, por ai që çoroditet në rrugët e tij e përçmon atë.
3. Në gojën e budallait gjejmë farën e kryelartësisë, por të urtët e ruajnë gojën e tyre.
4. Aty ku nuk ka qe grazhdi është bosh, por bollëku i korrjes qëndron në forcën e kaut.
5. Dëshmitari i ndershëm nuk gënjen, por dëshmitari i rremë thotë gënjeshtra.
6. Tallësi kërkon diturinë dhe nuk e gjen, por dija është një gjë e lehtë për atë që ka mend.
7. Largohu nga njeriu budalla sepse nuk do të gjesh dituri mbi buzët e tij.
8. Dituria e njeriut të matur qëndron në të dalluarit e rrugës së tij, por marrëzia e budallenjve është mashtrim.
9. Budallenjtë qeshin me mëkatin, por midis njerëzve të drejtë është falja.
10. Zemra njeh trishtimin e vet, por një i huaj nuk mund të marrë pjesë në gëzimin e saj.
11. Shtëpia e të pabesëve do të shkatërrohet, por çadra e njerëzve të drejtë do të lulëzojë.
12. Është një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në rrugët e vdekjes.
13. Edhe kur qesh, zemra mund të jetë e pikëlluar, dhe vetë gëzimi mund të përfundojë në vuajtje.
14. Zemërpërdali do të ngopet me rrugët e tij, dhe njeriu i mirë do të ngopet me frytet e tij.
15. Budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij.
16. Njeriu i urtë i trembet së keqes dhe largohet prej saj, por budallai zemërohet dhe është fodull.
17. Ai që zemërohet me lehtësi kryen marrëzi dhe njeriu që ka qëllime të këqija është i urryer.
18. Teveqelit e trashëgojnë budallallëkun, por njerëzit e matur kurorëzohen me dije.
19. Njerëzit e këqij do të përkulen përpara njerëzve të mirë dhe të pabesët në portat e të drejtëve.
20. Të varfrin e urren vetë miku i tij, por i pasuri ka shumë miklues.
21. Kush përçmon të afërmin e vet, mëkaton, por ai që ka mëshirë për të varfrit është i lumtur.