Ezekieli 48:10-17 Bibla Shqip (ALBB)

10. Kjo pjesë e shenjtë do t'u përkasë priftërinjve; njëzet e pesë mijë kubitë gjatësi në veri, dhjetë mijë gjerësi në perëndim, dhjetë mijë gjerësi në lindje dhe njëzet e pesë mijë gjatësi në jug; në mes të saj do të jetë shenjtërorja e Zotit.

11. Ajo do t'u përkasë priftërinjve të shenjtëruar, ndër bijtë e Tsadokut, që më kanë shërbyer dhe që nuk devijuan kur devijuan bijtë e Izraelit, dhe ashtu si devijuan përkundrazi levitët.

12. Pjesa që do t'u ofrohet atyre do të merret nga pjesa e ofruar dhuratë e vendit, një gjë shumë e shenjtë, pranë territorit të levitëve.

13. Përballë territorit të priftërinjve, levitët do të kenë një sipërfaqe prej njëzet e pesë mijë kubitë gjatësi dhe dhjetë mijë gjerësi; tërë gjatësia do të jetë njëzet e pesë mijë kubitë dhe gjerësia dhjetë mijë.

14. Ata nuk do të mund as ta shesin as ta këmbejnë; nuk do të mund ta shkëputin pjesën më të mirë të vendit, sepse është e shenjtë për Zotin.

15. Pesë mijë kubitët e gjerësisë që do të mbeten nga njëzet e pesë mijët, do të caktohen për përdorim profan për qytetin, për banesa dhe për toka për kullotë; qyteti do të jetë në mes.

16. Përmasat e tij do të jenë këto: ana veriore do të jetë katërmijë e pesëqind kubitë, ana jugore katërmijë e pesëqind, ana lindore katërmijë e pesëqind, ana perëndimore katërmijë e pesëqind.

17. Tokat për kullotë të qytetit do të jenë: dyqind e pesëdhjetë kubitë në veri, dyqind e pesëdhjetë në jug, dyqind e pesëdhjetë në lindje dhe dyqind e pesëdhjetë në perëndim.

Ezekieli 48