Ezekieli 40:41-49 Bibla Shqip (ALBB)

41. Kështu në anët e portës kishte katër tryeza nga një anë dhe katër tryeza nga ana tjetër: tetë tryeza gjithsej mbi të cilat thereshin flijimet.

42. Për holokaustet kishte edhe katër tryeza prej guri të latuar, të gjata një kubitë e gjysmë, të gjëra një kubitë e gjysmë dhe të larta një kubitë; mbi to viheshin mjetet me të cilat thereshin holokaustet dhe flijimet e tjera.

43. Në pjesën e brendshme, rreth e qark dhomës, ishin varur çengela një pëllëmbë të gjata; mbi tryezat vihej mishi i ofertave.

44. Jashtë portës së brendshme kishte dy dhoma për këngëtarët në oborrin e brendshëm; njëra ishte pranë portës së veriut dhe shikonte nga jugu, tjetra ishte pranë portës së jugut dhe shikonte nga veriu.

45. Ai më tha: "Kjo dhomë që shikon nga jugu është për priftërinjtë që kryejnë shërbime në tempull;

46. dhoma që shikon nga veriu është për priftërinjtë që kryejnë shërbim në altar; këta janë bijtë e Tsadokut, ndër bijtë e Levit, që i afrohen Zotit për t'i shërbyer".

47. Ai mati oborrin: ishte katror me një gjatësi prej njëqind kubitësh dhe një gjerësi prej njëqind kubitësh; altari ishte përballë tempullit.

48. Pastaj më çoi në tremen e tempullit dhe mati shtyllat e tremes: ishin pesë kubitë nga një anë dhe pesë kubitë nga ana tjetër; gjerësia e portës ishte tre kubitë nga një anë dhe tre kubitë nga ana tjetër.

49. Gjatësia e hajatit ishte njëzet kubitë dhe gjerësia njëmbëdhjetë kubitë; ngjiteshe në të nëpërmjet shkalloreve; pranë mbajtësve kishte shtylla, njëra nga një anë dhe tjetra nga ana tjetër.

Ezekieli 40