Ezekieli 33:2-10 Bibla Shqip (ALBB)

2. "Bir njeriu, folu bijve të popullit tënd dhe u thuaj atyre: Kur të sjell shpatën kundër një vendi dhe populli i atij vendi merr një burrë nga kufijtë e tij dhe e vë si sogjetar,

3. në rast se e sheh shpatën që vjen kundër vendit, dhe i bie borisë dhe lajmëron popullin,

4. kushdo që dëgjon borinë, por nuk i vë veshin paralajmërimit, në rast se shpata vjen dhe e merr me vete, gjaku i tij do të bjerë mbi kokën e vet.

5. Ai ka dëgjuar zërin e borisë, por nuk i ka vënë veshin paralajmërimit, gjakun e tij do ta ketë mbi vete. Por ai që ka marrë parasysh paralajmërimin, do të shpëtojë jetën e tij.

6. Por në rast se sogjetari sheh shpatën që po vjen dhe nuk i bie borisë për të paralajmëruar popullin, dhe shpata vjen dhe merr me vete ndonjë prej tyre, ky do të çohet tutje për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t'i kërkoj llogari sogjetarit.

7. Kështu, o bir njeriu, të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro nga ana ime.

8. Kur i them të pabesit: "I pabesë, ti do të vdesësh me siguri", dhe ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t'i kërkojë llogari dorës sate.

9. Por në rast se ti e paralajmëron të pabesin që të largohet nga rruga e tij dhe ai nuk largohet prej saj, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por ti do ta shpëtosh shpirtin tënd.

10. Tani, bir njeriu, i thuaj shtëpisë së Izraelit: Ju thoni kështu: "Në rast se shkeljet tona dhe mëkatet tona janë mbi ne dhe për shkak të tyre vuajmë, si do të mund të jetojmë?".

Ezekieli 33