Ezekieli 33:16-24 Bibla Shqip (ALBB)

16. Asnjë nga mëkatet e kryera prej tij nuk do të kujtohet kundër tij; ai ka bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë dhe me siguri ka për të jetuar.

17. Por bijtë e popullit tënd thonë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë", ndërsa është rruga e tyre që nuk është e drejtë.

18. Kur i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi, për këtë ai do të vdesë.

19. Përkundrazi kur i pabesi largohet nga pabesia e tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë, ai do të jetojë.

20. Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Unë do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve që ndjek, o shtëpi e Izraelit".

21. Vitin e dymbëdhjetë të robërisë sonë, muajin e dhjetë, ditën e pestë të muajit, ndodhi që arriti tek unë një i ikur nga Jeruzalemi dhe më tha: "Qyteti është pushtuar".

22. Një mbrëmje para se të vinte ikanaku, dora e Zotit u vu mbi mua dhe më kishte hapur gojën kështu, kur në mëngjes ai arriti tek unë, goja ime mbeti e hapur dhe nuk qeshë më memec.

23. Fjala e Zotit m'u drejtua pastaj, duke thënë:

24. "Bir njeriu, banorët e këtyre rrënojave në vendin e Izraelit thonë: "Abrahami ishte vetëm dhe pati zotërimin e vendit, por ne jemi shumë dhe zotërimi i vendit na jepet neve".

Ezekieli 33