15. në rast se i pabesi kthen pengun, kthen atë që ka vjedhur dhe ecën sipas statuteve të jetës, pa kryer paudhësi, ai me siguri ka për të jetuar, nuk ka për të vdekur.
16. Asnjë nga mëkatet e kryera prej tij nuk do të kujtohet kundër tij; ai ka bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë dhe me siguri ka për të jetuar.
17. Por bijtë e popullit tënd thonë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë", ndërsa është rruga e tyre që nuk është e drejtë.
18. Kur i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi, për këtë ai do të vdesë.
19. Përkundrazi kur i pabesi largohet nga pabesia e tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë, ai do të jetojë.
20. Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Unë do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve që ndjek, o shtëpi e Izraelit".
21. Vitin e dymbëdhjetë të robërisë sonë, muajin e dhjetë, ditën e pestë të muajit, ndodhi që arriti tek unë një i ikur nga Jeruzalemi dhe më tha: "Qyteti është pushtuar".
22. Një mbrëmje para se të vinte ikanaku, dora e Zotit u vu mbi mua dhe më kishte hapur gojën kështu, kur në mëngjes ai arriti tek unë, goja ime mbeti e hapur dhe nuk qeshë më memec.
23. Fjala e Zotit m'u drejtua pastaj, duke thënë:
24. "Bir njeriu, banorët e këtyre rrënojave në vendin e Izraelit thonë: "Abrahami ishte vetëm dhe pati zotërimin e vendit, por ne jemi shumë dhe zotërimi i vendit na jepet neve".
25. Prandaj u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ju hani mishin me gjakun, ngrini sytë nga idhujt tuaj, derdhni gjak dhe dëshironi të zotëroni vendin.
26. Ju mbështeteni te shpata juaj, kryeni gjëra të neveritshme, secili ndot gruan e fqinjit të tij dhe dëshironi të zotëroni vendin.
27. U thuaj kështu atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, ata që banojnë midis atyre rrënojave do të vriten nga shpata, ata që janë në fushë të hapur do t'ua jap për të ngrënë kafshëve dhe ata që janë në fortesa dhe në shpella do të vdesin nga murtaja.
28. Do ta katandis vendin në një mjerim dhe në shkreti, kryelartësia e forcës së tij do të ligështohet dhe kështu malet e Izraelit do të jenë aq të shkretuar sa që askush nuk do të kalojë më andej.
29. Do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ta kem katandisur vendin në mjerim dhe në shkreti për shkak të të gjitha gjërave të neveritshme që kanë kryer.