5. Do ta hedh mishin tënd mbi male dhe do t'i mbush luginat me togun e skeletit tënd.
6. Do t'i jap gjithashtu tokës të pijë nga rrjedha e gjakut tënd, deri te malet, dhe shtretërit e lumenjve do të mbushen me ty.
7. Kur të të shuaj, do t'i mbuloj qiejt dhe do t'i errësoj yjet, do ta zë diellin me një re dhe hëna nuk do të japë më dritën e saj.
8. Mbi ty do të errësoj të gjithë ndriçuesit e shkëlqyer në qiell dhe do të dërgoj terrin në vendin tënd", thotë Zoti, Zoti.
9. "Do të pikëlloj zemrën e shumë popujve, kur të bëj që të vijë shkatërrimi yt midis kombeve, në vende që ti nuk i njeh.
10. Do të bëj që shumë popuj të çuditen me ty dhe mbretërit e tyre do t'i pushtojë një tmerr i madh për shkakun tënd, kur të vringëllij shpatën time para tyre; secili prej tyre do të dridhet në çdo çast për jetën e tij, ditën e rënies sate".
11. Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Shpata e mbretit të Babilonisë do të bjerë mbi ty.
12. Do të bëj që turma jote të rrëzohet nga shpata e burrave të fuqishëm, që janë më të tmerrshmit ndër kombet; ata do të shkatërrojnë krenarinë e Egjiptit dhe gjithë turmat e tij do të asgjësohen.
13. Do të bëj që të ngordhë krejt gjëja e gjallë e tij mbi brigjet e ujërave të mëdha, që nuk do të turbullohen më nga këmba e njeriut, as thundra e kafshëve nuk do t'i turbullojë.