Ezekieli 32:20-29 Bibla Shqip (ALBB)

20. Ata do të bien në mes të atyre që janë vrarë nga shpata. Ai i është dorëzuar shpatës; e tërheqin me gjithë turmat e tij.

21. Trimat më të fortë, bashkë me ata që e ndihmonin, do t'i flasin në mes të Sheolit: "Kanë zbritur dhe kanë zënë vend bashkë me ata që nuk janë rrethprerë, bashkë me ata që i ka shpuar shpata?".

22. Atje është Asiria me gjithë turmën e saj, me varret e saj përreth; janë të gjithë të vrarë, të rënë nga shpata.

23. Varret e tyre janë vendosur në thellësinë e gropës dhe turma e saj është rreth varrit të tij; të gjithë janë të vrarë nga shpata, ata që përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve.

24. Atje është Elami me gjithë turmën e tij rreth varrit të tij; janë të gjithë të vrarë, të rrëzuar nga shpata, që kanë zbritur pa u rrethprerë në thellësi të tokës, ata që përhapnin tmerr mbi dheun e të gjallëve; tani ata mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë.

25. Kanë vënë shtratin e tij në mes të të vrarëve me gjithë turmën e tij, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse kishin përhapur tmerrin mbi dheun e të gjallëve; por tani e mbajnë turpin e tyre me ata që zbresin në gropë; janë vendosur në mes të të vrarëve.

26. Atje është Mesheku, Tubali, dhe tërë turma e tyre, me varret e tyre rreth tij; të gjithë nuk janë rrethprerë, janë shpuar nga shpata, sepse përhapin tmerrin mbi dheun e të gjallëve.

27. Nuk rrinë me heronjtë e rënë të atyre që nuk janë rrethprerë, që kanë zbritur në Sheol me armët e tyre të luftës dhe që shpatat e tyre janë vënë nën kokat e tyre; por ndëshkimi i paudhësive të tyre do t'u ngjitet kockave të tyre, megjithëse tmerri i këtyre trimave ishte i madh mbi dheun e të gjallëve.

28. Po, ti do të copëtohesh në mes të atyre që nuk janë rrethprerë dhe do të qëndrosh bashkë me ata që janë shpuar nga shpata.

29. Atje është Edomi, me të gjithë mbretërit e tij dhe me të tërë princat e tij, të cilët, me gjithë trimërinë e tyre, janë vendosur bashkë me ata që janë shpuar nga shpata. Edhe këta rrinë bashkë me ata që nuk janë rrethprerë dhe me ata që zbresin në gropë.

Ezekieli 32