Ezekieli 30:17-26 Bibla Shqip (ALBB)

17. Të rinjtë e Avenit dhe të Pibesethit do të bien nga shpata dhe këto dy qytete do të shkojnë në robëri.

18. Në Tahpanhes dita do të erret, kur aty unë do të copëtoj zgjedhat e imponuara nga Egjipti; dhe tek ajo do të mpaket krenaria e forcës së saj. Sa për atë, një re do ta mbulojë dhe bijat e saj do të shkojnë në robëri.

19. Kështu do të zbatoj gjykimet e mia mbi Egjiptin. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

20. Vitin e njëmbëdhjetë, muajin e parë, ditën e shtatë të muajit, ndodhi që fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

21. "Bir njeriu, unë theva krahun e Faraonit, mbretit të Egjiptit; dhe ja, nuk u lidh duke vënë ilaçe as u mbështoll me rripa që ta bënin mjaft të fortë për të përdorur shpatën".

22. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë jam kundër Faraonit, mbretit të Egjiptit, për t'ia copëtuar krahët, si atë të fortin ashtu edhe krahun tashmë të thyer, dhe do ta bëj që t'i bjerë shpata nga dora.

23. Do t'i shpërndaj pastaj egjiptasit midis kombeve dhe do t'i përhap në vende të ndryshme.

24. Do të forcoj krahët e mbretit të Babilonisë dhe do t'i vë në dorë shpatën time, por do të copëtoj krahët e Faraonit që do të rënkojë para tij, si rënkon një njeri i plagosur për vdekje.

25. Kështu do të forcoj krahët e mbretit të Babilonisë, por krahët e Faraonit do të rrëzohen; do të pranojnë që unë jam Zoti, kur ti vë në dorë mbretit të Babilonisë shpatën time, dhe ky do ta shtrijë kundër vendit të Egjiptit.

26. Do t'i shpërndaj egjiptasit midis kombeve dhe do t'i përhap në vende të ndryshme. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

Ezekieli 30