4. Me diturinë tënde dhe zgjuarsinë tënde ke grumbulluar pasuri dhe ke mbledhur ar dhe argjend në thesaret e tua;
5. me diturinë tënde të madhe, me tregtinë tënde ke rritur pasuritë e tua, dhe për shkak të pasurive të tua zemra jote është ngritur".
6. Për këtë arsye kështu thotë Zoti, Zoti: "Me qenë se e ke bërë zemrën tënde si zemrën e Perëndisë,
7. prandaj ja, unë do të sjell kundër teje kombet më të tmerrshme; këta do të zhveshin shpatat e tyre kundër shkëlqimit të diturisë sate dhe do të ndotin bukurinë tënde.
8. Do të të zbresin në gropë dhe ti do të vdesësh nga vdekja e atyre që janë shpuar në zemër të deteve.
9. A do të vazhdosh të thuash: "Unë jam një perëndi", përpara atij që do të të vrasë? Por do të jesh një njeri dhe jo një zot në duart e atij që do të të shpojë.
10. Ti do të vdesësh nga vdekja e të parrethprerëve, nga dora e huaj, sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti.
11. Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:
12. "Bir njeriu ngri një vajtim për mbretin e Tiros dhe i thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ti ishe vula e përsosmërisë, tërë dituri dhe i përsosur nga bukuria.
13. Ishe në Eden, në kopshtin e Perëndisë; ishte mbuluar me llojlloj gurësh të çmuar: rubinë, topaze, diamante, krisolite, onikse, diaspra, safirë, karbonkë, smeralde dhe ar; punimi i dajreve të tua dhe i flauteve të tua u përgatit për ty ditën që ti u krijove.
14. Ti ishe një kerubin i vajosur, një mbrojtës. Unë të kisha vënë në malin e shenjtë të Perëndisë dhe ti ecje në mes gurësh zjarri.