2. "Ti, bir njeriu, ngri për Tiron një vajtim,
3. dhe i thuaj Tiros: O ti që je vendosur në hyrje të detit, ti që bën tregti me popujt në shumë ishuj, kështu thotë Zoti, Zoti: O Tiro, ti ke thënë: "Unë jam i një bukurie të përsosur".
4. Kufijtë e tu janë në zemër të deteve; ndërtuesit e tu të kanë dhënë një bukuri të përsosur.
5. E kanë bërë tërë lëndën e anijeve të tua me qipariset e Senirit, kanë marrë cedra të Libanit për të bërë direkun tënd kryesor;
6. dhe i kanë bërë lopatat e tua me lis të Bashanit, e kanë bërë urën tënde me dru pylli të inkustuar me fildish të sjellë nga ishujt e Kitimit.
7. Ishte prej liri të hollë të Egjiptit, e punuar me qëndisje, vela që ke shpalosur, që të të shërbente si flamur; ajo që të mbulonte ishte prej hiacinti dhe prej purpure dhe vinte nga ishujt e Elishahut.
8. Banorët e Sidonit dhe të Arvadit ishin vozitësit e tu; të urtët e tu, o Tiro, ishin te ti; ata ishin pilotët e tu.
9. Te ti ishin pleqtë e Gebalit dhe specialistët e tij për të riparuar tërë të çarat e tua; te ti ishin tërë anijet e detit dhe detarët e tyre për të shkëmbyer mallrat e tua.
10. Ata të Persisë, të Ludit dhe të Putit ishin në ushtrinë tënde, si luftëtarë; ata varnin te ti mburojën dhe përkrenaren dhe të jepnin shkëlqim.
11. Bijtë e Arvadit dhe ushtria jote ishin përreth mureve të tua dhe njerëz trima qëndronin mbi kullat e tua; ata i varnin mburojat e tyre përreth mureve të tua; ata e bënin kështu të përsosur bukurinë tënde.
12. Tarshishi tregtonte me ty për shkak të bollëkut të pasurive të tua; në këmbim të mallrave të tua të jepte argjend, hekur, kallaj dhe plumb.
13. Edhe Javani, Tubali dhe Mesheku bënin tregti me ty; në këmbim të mallrave të tua të jepnin njerëzore dhe vegla prej bronzi.
14. Ata të shtëpisë së Togarmahut të jepnin në këmbim të mallrave të tua kuaj qeniet për tërheqje, kuaj vrapimi dhe mushka.
15. Bijtë e Dedanit bënin tregti me ty; tregtia e shumë ishujve kalonte nga duart e tua; si shpërblim të jepnin dhëmbë fildishi dhe abanoz.