Ezekieli 27:17-27 Bibla Shqip (ALBB)

17. Juda dhe vendi i Izraelit tregtonin me ty; në këmbim të mallrave të tua të jepnin grurë të Minithit, parfume, mjaltë, vaj dhe balsam.

18. Damasku bënte tregti me ty për shkak të numrit të madh të prodhimeve të tua dhe për bollëkun e pasurive të tua me verë të Helbonit dhe me lesh të bardhë.

19. Vedani dhe Javani sillnin nga Uzahu prodhime në këmbim të mallrave të tua; hekuri i punuar, kasie dhe kallami aromatik ishin ndër mallrat e tua të këmbimit.

20. Dedani tregtonte me ty veshje për të kalëruar.

21. Arabia dhe tërë princat e Kedarit bënin tregti me ty, duke bërë me ty shkëmbime në qengja, desh dhe cjep.

22. Tregtarët e Shebas dhe të Ramahut bënin tregti me ty; në këmbim të mallrave të tua ata të jepnin të gjitha aromat më të mira, lloj-lloj gurësh të çmuar dhe ar.

23. Herani, Kanehu, Edeni, tregtarët e Shebas, të Asirisë dhe të Kilmadit bënin tregti me ty.

24. Në këmbim të mallrave të tua shkëmbenin me ty sende luksi, mantele të purpurta, stofa të qëndisura, arka rrobash të ndryshme, të lidhura me litarë.

25. Anijet e Tarshishit transportonin mallrat e tua. Kështu u mbushe dhe u pasurove me të madhe në zemër të deteve.

26. Vozitësit e tu të kanë çuar mbi shumë ujëra, por era e lindjes të ka shkatërruar në zemër të deteve.

27. Pasuritë e tua, mallrat e tua, prodhimet e tua, detarët e tu, pilotët e tu, ata që ndreqnin të çarat, trafikantët e mallrave të tua, tërë luftëtarët që janë te ti dhe gjithë ajo mori që është mes teje do të bien në zemër të deteve ditën e shkatërrimit tënd.

Ezekieli 27