33. Do të jesh plot me dehje dhe me dhembje, do të jetë, kupa e dëshpërimit dhe shkretimit, kupa e motrës sate Samaria.
34. Ti do ta pish, ti do ta shkullosh, do ta bësh copë e çikë dhe do të çash gjirin tënd; sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti.
35. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se më ke harruar dhe më ke hedhur prapa krahëve, do të vuash edhe ti dënimin për shthurjen tënde dhe për kurvërimet e tua".
36. Pastaj Zoti më tha: "Bir njeriu, nuk do t'i gjykosh ti Oholahën dhe Oholibahën? Shpallu, pra, veprimet e tyre të neveritshme.
37. Në fakt kanë kryer shkelje kurore, kanë gjak mbi duart e tyre, kanë kryer shkelje kurore me idhujt e tyre, madje i kanë kaluar nëpër zjarr që të gllabërohen, bijtë e tyre që më kishin lindur.
38. Edhe këtë më kanë bërë: po atë ditë kanë ndotur shenjtëroren time dhe kanë përdhosur të shtunat e mia.
39. Mbasi ua flijuan bijtë e vet idhujve të tyre, po atë ditë erdhën në shenjtëroren time për ta përdhosur; ja çfarë kanë bërë në mes të tempullit tim.
40. Përveç kësaj dërguan të thërrasin njerëz nga vende të largëta, të cilëve u dërguan lajmëtarë; dhe ja, ata erdhën. Për ta u lave, i ngjeve sytë dhe u veshe me rroba të zbukuruara me stoli të shkëlqyera.
41. U shtrive mbi një shtrat madhështor para të cilit ishte shtruar një tryezë dhe mbi këtë vure temjanin tim dhe vajin tim.
42. Rreth saj ishte zhurma e një morie njerëzish të shkujdesur; së bashku me turmën sollën edhe të dehur nga shkretëtira, që vunë byzylykë në kyçet e dorës dhe kurora të mrekullueshme mbi kokat e tyre.
43. Pastaj thashë për atë që kishte një përvojë të madhe në shkeljet e kurorës: "A do të kryejnë tashti kurvërime me të, dhe ajo me ata?".
44. Pastaj ata hynë tek ajo siç i hyhet një prostitute; kështu hynë tek Oholaha dhe Oholibaha, gra të shthurura.
45. Por njerëz të drejtë do t'i gjykojnë ashtu si gjykohen shkelëset e kurorës, ashtu si gjykohen gratë që derdhin gjak, sepse janë shkelëse të kurorës dhe kanë gjak mbi duart e tyre".