Ezekieli 23:29-47 Bibla Shqip (ALBB)

29. Do të të trajtojnë me urrejtje, do të të marrin tërë frytin e punës sate dhe do të të lënë lakuriqe dhe nevojtare. Do të dalë në shesh poshtërsia e kurvërimeve të tua, po, shthurja e kurvërimeve të tua.

30. Këto gjëra do t'i bëjnë sepse je kurvëruar duke u shkuar pas kombeve, sepse je ndotur me idhujt e tyre.

31. Ti ke ecur në rrugën e motrës sate, prandaj do të të vë në dorë po atë kupë".

32. Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ti do të pish kupën e motrës sate, të thellë dhe të gjerë; do të të përqeshin dhe të të tallin, sepse kupa nxë shumë.

33. Do të jesh plot me dehje dhe me dhembje, do të jetë, kupa e dëshpërimit dhe shkretimit, kupa e motrës sate Samaria.

34. Ti do ta pish, ti do ta shkullosh, do ta bësh copë e çikë dhe do të çash gjirin tënd; sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti.

35. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se më ke harruar dhe më ke hedhur prapa krahëve, do të vuash edhe ti dënimin për shthurjen tënde dhe për kurvërimet e tua".

36. Pastaj Zoti më tha: "Bir njeriu, nuk do t'i gjykosh ti Oholahën dhe Oholibahën? Shpallu, pra, veprimet e tyre të neveritshme.

37. Në fakt kanë kryer shkelje kurore, kanë gjak mbi duart e tyre, kanë kryer shkelje kurore me idhujt e tyre, madje i kanë kaluar nëpër zjarr që të gllabërohen, bijtë e tyre që më kishin lindur.

38. Edhe këtë më kanë bërë: po atë ditë kanë ndotur shenjtëroren time dhe kanë përdhosur të shtunat e mia.

39. Mbasi ua flijuan bijtë e vet idhujve të tyre, po atë ditë erdhën në shenjtëroren time për ta përdhosur; ja çfarë kanë bërë në mes të tempullit tim.

40. Përveç kësaj dërguan të thërrasin njerëz nga vende të largëta, të cilëve u dërguan lajmëtarë; dhe ja, ata erdhën. Për ta u lave, i ngjeve sytë dhe u veshe me rroba të zbukuruara me stoli të shkëlqyera.

41. U shtrive mbi një shtrat madhështor para të cilit ishte shtruar një tryezë dhe mbi këtë vure temjanin tim dhe vajin tim.

42. Rreth saj ishte zhurma e një morie njerëzish të shkujdesur; së bashku me turmën sollën edhe të dehur nga shkretëtira, që vunë byzylykë në kyçet e dorës dhe kurora të mrekullueshme mbi kokat e tyre.

43. Pastaj thashë për atë që kishte një përvojë të madhe në shkeljet e kurorës: "A do të kryejnë tashti kurvërime me të, dhe ajo me ata?".

44. Pastaj ata hynë tek ajo siç i hyhet një prostitute; kështu hynë tek Oholaha dhe Oholibaha, gra të shthurura.

45. Por njerëz të drejtë do t'i gjykojnë ashtu si gjykohen shkelëset e kurorës, ashtu si gjykohen gratë që derdhin gjak, sepse janë shkelëse të kurorës dhe kanë gjak mbi duart e tyre".

46. Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Bëj që të dalë kundër tyre një turmë dhe lëri në mëshirë të tmerrit dhe të plaçkitjes.

47. Ajo turmë do t'i qëllojë me gurë për vdekje, do t'i bëjë copë-copë me shpatën e saj; do të vrasë bijtë dhe bijat e tyre dhe do t'u vërë flakën shtëpive të tyre.

Ezekieli 23