Ezekieli 23:24-31 Bibla Shqip (ALBB)

24. Ata do të vijnë kundër teje me armë, qerre dhe rrota si dhe me një shumicë popujsh; do të vendosin rreth e qark teje mburoja të vogla dhe të mëdha dhe përkrenare. Do t'u jap atyre gjykimin e tyre dhe ata do të gjykojnë sipas ligjeve të tyre.

25. Do të drejtoj xhelozinë time kundër teje, dhe ata do të të trajtojnë me tërbim; do të të heqin hundën dhe veshët, dhe mbeturinat e tua do të bien nga shpata; do të marrin bijtë e tu dhe bijat e tua dhe mbeturinat e tua do të gllabërohen nga zjarri.

26. Do të të zhveshin nga rrobat e tua dhe do të të marrin xhevahiret e tu të bukur.

27. Kështu do të marrin fund shthurja jote dhe kurvërimi yt që nisën në vendin e Egjiptit; nuk do t'i ngresh më sytë drejt tyre dhe nuk do ta kujtosh më Egjiptin".

28. Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë po të jap në duart e atyre që ti urren, në duart e atyre prej të cilëve je larguar.

29. Do të të trajtojnë me urrejtje, do të të marrin tërë frytin e punës sate dhe do të të lënë lakuriqe dhe nevojtare. Do të dalë në shesh poshtërsia e kurvërimeve të tua, po, shthurja e kurvërimeve të tua.

30. Këto gjëra do t'i bëjnë sepse je kurvëruar duke u shkuar pas kombeve, sepse je ndotur me idhujt e tyre.

31. Ti ke ecur në rrugën e motrës sate, prandaj do të të vë në dorë po atë kupë".

Ezekieli 23