14. Por ajo i shtoi kurvërimet e saj; pa burra të pikturuar mbi mur, figura të kaldeasve të pikturuara në të kuq,
15. me breza rreth ijëve, me çallma të mëdha në kokë, të gjithë me pamje krerësh, të ngjashëm me bijtë e Babilonisë në Kalde, tokë e tyre e lindjes.
16. Sa i pa, ajo u ndez për ta dhe u dërgoi lajmëtarë në Kalde.
17. Atëherë bijtë e Babilonisë erdhën tek ajo në shtratin e dashurive dhe e molepsën me kurvërimet e tyre. Ajo u moleps me ta, por pastaj u largua prej tyre.
18. Ajo i nxori sheshit kurvërimet e saj dhe nxori sheshit turpin e saj; prandaj unë u largova nga ajo, ashtu siç isha larguar nga e motra.
19. Megjithatë ajo i shumoi kurvërimet e saj, duke kujtuar ditët e rinisë së saj, kur ishte kurvëruar në vendin e Egjiptit.
20. Mori zjarr për dashnorët e saj, mishi i të cilëve është si mishi i gomarëve dhe rrjedhja e të cilëve është si rrjedhja e kuajve.
21. Kështu ti kujtove shthurjen e rinisë sate, kur egjiptasit shtrëngonin gjirin tënd për shkak të gjinjve të tu rinorë.
22. Prandaj, Oholibaha, kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të nxis kundër teje dashnorët e tu, prej të cilëve je larguar dhe do t'i sjell kundër teje nga të gjitha anët:
23. bijtë e Babilonisë dhe gjithë kaldeasit, ata të Pekodit, Shoas dhe Koas, tërë bijtë e Asirisë bashkë me ta, tërë të rinjtë tërheqës, qeveritarët dhe princat, kapitenët dhe njerëzit e famshëm, të gjithë të hipur mbi kuaj.