Ezekieli 20:7-17 Bibla Shqip (ALBB)

7. Pastaj u thashë atyre: Secili të flakë gjërat e neveritshme që janë para syve të tij dhe mos u ndotni me idhujt e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

8. Por ata u rebeluan kundër meje dhe nuk deshën të më dëgjojnë; asnjë prej tyre nuk flaku gjërat e neveritshme që ishin para syve të tyre dhe nuk braktisi idhujt e Egjiptit. Atëherë vendosa të derdh mbi ta tërbimin tim dhe të shfryj mbi ta zemërimin tim në mes të vendit të Egjiptit.

9. Megjithatë veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej para kombeve në mes të të cilëve ata ndodheshin, në sytë e të cilëve më kishin njohur, për t'i nxjerrë nga vendi i Egjiptit.

10. Kështu i nxora nga vendi i Egjiptit dhe i çova në shkretëtirë.

11. U dhashë atyre statutet e mia dhe u bëra të njohura dekretet e mia, duke respektuar të cilat, njeriu do të jetojë për ato.

12. Gjithashtu u dhashë atyre të shtunat e mia, me qëllim që të ishin një shenjë midis meje dhe atyre, dhe që të njihnin që unë jam Zoti që i shenjtëroj.

13. Por shtëpia e Izraelit u rebelua kundër meje në shkretëtirë; nuk eci sipas statuteve të mia dhe hodhi poshtë dekretet e mia, të cilat duke i respektuar njeriu do të jetojë për ato, dhe përdhosën me të madhe të shtunat e mia. Kështu unë vendosa të hedh mbi ta zemërimin tim për t'i zhdukur në shkretëtirë.

14. Megjithatë unë veprova për hir të emrit tim, me qëllim që të mos përdhosej përpara kombeve, në sytë e të cilëve unë i kisha bërë të dalin nga Egjipti.

15. Ngrita madje dorën në shkretëtirë, duke u betuar se nuk do t'i bëja të hynin në vendin që u kisha dhënë atyre, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, lavdia e të gjitha vendeve,

16. sepse kishin hedhur poshtë dekretet e mia, nuk kishin ecur sipas statuteve të mia dhe kishin përdhosur të shtunat e mia, sepse zemra e tyre shkonte pas idhujve të tyre.

17. Megjithatë syri im i fali nga shkatërrimi dhe nuk i shfarosa krejt në shkretëtirë.

Ezekieli 20