15. Ngrita madje dorën në shkretëtirë, duke u betuar se nuk do t'i bëja të hynin në vendin që u kisha dhënë atyre, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, lavdia e të gjitha vendeve,
16. sepse kishin hedhur poshtë dekretet e mia, nuk kishin ecur sipas statuteve të mia dhe kishin përdhosur të shtunat e mia, sepse zemra e tyre shkonte pas idhujve të tyre.
17. Megjithatë syri im i fali nga shkatërrimi dhe nuk i shfarosa krejt në shkretëtirë.
18. Pastaj u thashë bijve të tyre në shkretëtirë: "Mos ecni sipas statuteve të etërve tuaj, mos respektoni dekretet e tyre dhe mos u ndotni me idhujt e tyre.
19. Unë jam Zoti, Perëndia juaj; ecni sipas statuteve të mia, respektoni dekretet e mia dhe i vini në praktikë,
20. shenjtëroni të shtunat e mia dhe ato le të jenë një shenjë midis meje dhe jush, në mënyrë që ju të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj".
21. Por bijtë u rebeluan kundër meje; nuk ecën sipas statuteve të mia, nuk respektuan dekretet e mia për t'i vënë në jetë, duke i respektuar të cilat njeriu do të jetojë për to; përdhosën të shtunat e mia, dhe kështu vendosa të derdh mbi ta tërbimin tim dhe të shfryj mbi ta zemërimin tim në shkretëtirë.
22. Megjithatë unë e tërhoqa dorën dhe veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej përpara kombeve, në sytë e të cilëve i kisha nxjerrë nga Egjipti.