10. Por në qoftë se i ka lindur një bir që përdor dhunë, që derdh gjak dhe i bën të vëllait ndonjë nga këto gjëra,
11. (ndërsa i ati nuk ka kryer asnjë nga këto gjëra), dhe ha në male dhe prek bashkëshorten e fqinjit të tij,
12. shtyp të varfrin dhe nevojtarin, kryen grabitje, nuk e kthen pengun, ngre sytë ndaj idhujve, kryen veprime të neveritshme,
13. jep me kamatë dhe me fajde, a do të jetojë vallë ai? Ai nuk do të jetojë. Duke qenë se ka kryer tërë këto veprime të neveritshme ai ka për të vdekur me siguri; gjaku i tij do të bjerë mbi të.
14. Por në rast se atij i lind një fëmijë që, duke parë tërë mëkatet e kryera nga i ati, i kupton, por nuk i kryen,
15. nuk ha në male, nuk i ngre sytë nga idhujt e shtëpisë së Izraelit, nuk prek gruan e fqinjit,
16. nuk shtyp njeri, nuk merr pengje, nuk kryen grabitje, por i jep bukën e tij të uriturit, vesh me rroba atë që është lakuriq,
17. e përmban dorën që të mos shtypë të varfrin, nuk merr as kamatë as fajde, respekton dekretet e mia dhe ecën në statutet e mia, ai nuk ka për të vdekur për shkak të paudhësisë së atit të tij; ai me siguri ka për të jetuar.
18. I ati, përkundrazi, duke qenë se ka shtypur dhe ka kryer grabitje në dëm të vëllait të tij dhe ka bërë atë që nuk është e mirë në mes të popullit të tij, ja, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij.
19. Megjithatë ju thoni: "Pse biri nuk mbart paudhësinë e atit?". Duke qenë se djali zbaton barazinë dhe drejtësinë, respekton të gjitha statutet e mia dhe i vë në praktikë, ai me siguri ka për të jetuar.
20. Shpirti që mëkaton do të vdesë, i biri nuk do të mbartë paudhësinë e atit dhe ati nuk do të mbartë paudhësinë e birit; drejtësia e të drejtit do të jetë mbi të, pabesia e të pabesit do të bien mbi të.
21. Në rast se i pabesi largohet nga të gjitha mëkatet që kryente, në rast se respekton të gjitha statutet e mija dhe zbaton barazinë dhe drejtësinë, ai me siguri ka për të jetuar; nuk ka për të vdekur.
22. Asnjë nga shkelje që ka kryer nuk do t'i kujtohet atij; ai do të jetojë për shkak të drejtësisë që zbaton.
23. A ndiej vallë gëzim nga vdekja e të pabesit?", thotë Zoti, Zoti, "apo përkundrazi që ai të kthehet nga rrugët e tij dhe të jetojë?