11. Të zbukurova me stoli, të vura byzylykë në kyçet e dorës dhe një gjerdan në qafë.
12. Të vura një unazë në hundë, vathë te veshët dhe një kurorë të mrekullueshme mbi krye.
13. Kështu u zbukurove me ar dhe argjend dhe u veshe me li të hollë, me mëndafsh dhe me qëndisje. Ti hëngre majë mielli, mjaltë dhe vaj; u bëre shumë, shumë e bukur dhe arrite të mbretërosh.
14. Nami yt u përhap midis kombeve për bukurinë tënde që ishte e përsosur, për shkak të shkëlqimit tim të madh që kisha vendosur mbi ty", thotë Zoti, Zoti.
15. Por ti vure besim në bukurinë tënde dhe u kurvërove për shkak të namit tënd dhe ia falje kurvërimet e tua çdo kalimtari, që i pranonte.
16. Ti more disa nga rrobat e tua, bëre vende të larta me ngjyra të ndryshme në të cilat u kurvërove, gjëra që nuk duhet të kishin ndodhur dhe as që të ishin.
17. More gjithashtu xhevahiret e tua të bukura të bëra me arin dhe argjendin tim, që unë të kisha dhënë, bëre prej tyre figura njeriu dhe u kurvërove me to;
18. pastaj more rrobat e tua të qëndisura, i mbulove dhe ofrove para tyre vajin dhe temjanin tim.
19. Edhe bukën time që të kisha dhënë, majën e miellit, vajin dhe mjaltin me të cilin të ushqeja, i vure para tyre si një parfum me erë shumë të këndshme; kështu ndodhi", thotë Zoti, Zoti.
20. "Përveç kësaj more bijtë e tu e bijat e tua që më kishe lindur dhe i sakrifikove ata, që të gëlltiten. Mos vallë ishin pak gjë kurvërimet e tua,
21. që ti të therje bijtë e mi dhe t'ua ofroje atyre duke i kaluar nëpër zjarr?
22. Me gjithë veprimet e tua të neveritshme dhe kurvërimet e tua, nuk i kujtove ditët e rinisë sate, kur ishe lakuriq dhe nevojtare dhe përpëliteshe në gjak.
23. Tani mbas gjithë ligësisë sate, "mjerë, mjerë ti!"", thotë Zoti, Zoti;
24. "në çdo shesh ke ndërtuar një kamare dhe ke bërë një vend të lartë;
25. në krye të çdo rruge ke ndërtuar një vend te lartë, e ke bërë të neveritshme bukurinë tënde, dhe i ke hapur këmbët e tua çdo kalimtari, duke i shumuar kurvërimet e tua.
26. Ti gjithashtu je kurvëruar me egjiptasit, fqinjët e tu trupmëdhenj, dhe i ke shumuar kurvërimet e tua për të provokuar zemërimin tim.