Ezekieli 12:13-25 Bibla Shqip (ALBB)

13. Por unë do të shtrij rrjetën time mbi të dhe ai do të kapet në lakun tim; do ta çoj pastaj në Babiloni, në vendin e kaldeasve; por ai nuk ka për ta parë dhe do të vdesë atje.

14. Do të shpërndaj në të gjitha erërat ata që i rrinë rreth e qark për ta ndihmuar dhe tërë trupat e tij, dhe do ta zhvesh shpatën prapa tyre.

15. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti kur do t'i kem shpërndarë midis kombeve dhe vendeve të ndryshme.

16. Por do të fal një numër të vogël nga shpata, nga uria dhe murtaja, me qëllim që të tregojnë të gjitha veprimet e tyre të neveritshme midis kombeve ku do të shkojnë; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

17. Fjala e Zotit m'u drejtua akoma, duke thënë:

18. "Bir njeriu, ha bukën tënde me drithërimë dhe pije ujin tënd me shqetësim dhe me ankth.

19. Do t'i thuash pastaj popullit të vendit: Kështu u thotë Zoti, Zoti, banorëve të Jeruzalemit në tokën e Izraelit: Do të hanë bukën e tyre në pikëllim dhe do ta pinë ujin e tyre në tmerr, sepse vendi i tyre do të zhvishet nga gjithë ato që ka për shkak të ligësisë të mbarë njerëzve që banojnë aty.

20. Qytetet e banuara do të shkatërrohen dhe vendi do të shkretohet; kështu do të pranoni që unë jam Zoti".

21. Fjala e Zotit mu drejtua përsëri duke, duke thënë:

22. "Bir njeriu: Çfarë është ajo e thënë për vendin e Izraelit e cila pohon se: "Ditët po zgjaten dhe çdo vegim pakësohet"?

23. Prandaj u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë do të bëj të pushojë kjo e thënë dhe të mos e përmendin më në Izrael. Bile u thuaj atyre: Po afrohen ditët dhe realizimi i fjalës së çdo vegimi,

24. sepse nuk do të ketë më asnjë vegim të rremë as shortari të gënjeshtërt në mes të shtëpisë së Izraelit.

25. Sepse unë, Zoti, do të flas, dhe fjala që do shqiptoj do të kryhet pa asnjë mëdyshje. Po, në ditët tuaja, o shtëpi rebele, unë do të shqiptoj një fjalë dhe do ta realizoj", thotë Zoti, Zoti.

Ezekieli 12