Ezekieli 12:1-15 Bibla Shqip (ALBB)

1. Fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

2. "Bir njeriu, ti banon në mes të një shtëpie rebele, që kanë sy për të parë, por nuk shohin, vesh për të dëgjuar, por nuk dëgjojnë, sepse janë një shtëpi rebele.

3. Prandaj, bir njeriu, përgatit plaçkat për mërgim dhe shko në mërgim ditën para syve të tyre. Ti do të nisesh për mërgim nga vendi ku je në një vend tjetër para syve të tyre; ndofta do ta kuptojnë se janë një shtëpi rebele.

4. Do të çosh, pra, plaçkat e tua ditën para syve të tyre, bagazhin tënd si bagazh i dikujt që shkon në mërgim; pastaj në mbrëmje do të dalësh para syve të tyre, si ata që shkojnë në mërgim.

5. Bëj një vrimë në mur para syve të tyre dhe nëpërmjet kësaj nxirr bagazhin tënd.

6. Do ta mbash mbi kurriz para syve të tyre, do ta çosh jashtë në terr; do të mbulosh fytyrën për të mos shikuar tokën, sepse të kam bërë ty një shenjë për shtëpinë e Izraelit".

7. Unë bëra pikërisht ashtu si më kishte urdhëruar; ditën nxora jashtë bagazhin tim, si bagazhi i dikujt që shkon në mërgim dhe në mbrëmje, me duar, hapa një vrimë në mur; kur u err e çova jashtë bagazhin tim dhe e vura mbi kurriz para syve të tyre.

8. Në mëngjes fjala e Zotit m'u drejtua, duke thënë:

9. "Bir njeriu, nuk të ka kërkuar shtëpia e Izraelit, kjo shtëpi rebele: "Çfarë po bën?".

10. U thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ky orakull ka të bëjë me princin që është në Jeruzalem dhe me tërë shtëpinë e Izraelit që banon aty".

11. Thuaj: Unë jam një shenjë për ju; ashtu si bëra unë, kështu do t'u bëhet atyre: ata do të shkojnë në mërgim, në robëri.

12. Princi që është në mes tyre do të mbajë bagazhin e tij mbi kurriz në terr dhe do të dalë; do të bëjnë një vrimë në mur që ai të dalë nëpërmjet saj; ai do të mbulojë fytyrën për të mos parë tokën me sytë e tij.

13. Por unë do të shtrij rrjetën time mbi të dhe ai do të kapet në lakun tim; do ta çoj pastaj në Babiloni, në vendin e kaldeasve; por ai nuk ka për ta parë dhe do të vdesë atje.

14. Do të shpërndaj në të gjitha erërat ata që i rrinë rreth e qark për ta ndihmuar dhe tërë trupat e tij, dhe do ta zhvesh shpatën prapa tyre.

15. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti kur do t'i kem shpërndarë midis kombeve dhe vendeve të ndryshme.

Ezekieli 12