Ester 9:5-19 Bibla Shqip (ALBB)

5. Kështu judenjtë goditën tërë armiqtë e tyre, duke i kaluar në tehun e shpatës dhe duke kryer një kërdi dhe një shkatërrim të madh; u sollën si deshën me armiqtë e tyre.

6. Në qytetin e Suzas judenjtë vranë dhe shfarosën pesëqind njerëz;

7. vranë edhe Parshandathan, Dalfonin, Aspathan,

8. Porathan, Adalian, Aridathan,

9. Parmashtan, Arisain, Aridain dhe Vajezathan,

10. dhjetë bijtë e Hamanit, birit të Hamedathas, armiku i judenjve, por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

11. Po atë ditë numri i atyre që ishin vrarë në qytetin e Suzas iu njoftua mbretit.

12. Mbreti i tha atëherë mbretëreshës Ester: "Në qytetin e Suzas judenjte kanë vrarë dhe shfarosur pesëqind njerëz dhe dhjetë bij të Hamanit; çfarë kanë bërë vallë në krahinat e tjera të mbretit? Tani cila është kërkesa jote? Do të të plotësohet. Çfarë tjetër kërkon? Do të bëhet".

13. Atëherë Esteri tha: "Në qoftë se kështu i pëlqen mbretit, le të lejohen judenjtë që janë në Suza të bëjnë edhe nesër atë që është dekretuar për sot; dhe të varen në trekëmbësh të dhjetë bijtë e Hamanit".

14. Mbreti urdhëroi që të veprohej pikërisht kështu. Dekreti u nxor në Suza dhe dhjetë bijtë e Hamanit u varën në trekëmbësh.

15. Judenjtë që ishin në Suza u mblodhën edhe ditën e katërmbëdhjetë të muajit të adarit dhe vranë në Suza treqind njerëz; por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

16. Edhe judenjtë e tjerë që ishin në krahinat e mbretit u mblodhën, për të mbrojtur jetën e tyre dhe për të qenë të sigurt nga sulmet e armiqve të tyre; vranë shtatëdhjetë e pesë mijë nga ata që i urrenin, por nuk u dhanë pas plaçkitjes.

17. Kjo ndodhi ditën e trembëdhjetë të muajit të adarit; ditën e katërmbëdhjetë u çlodhën dhe e kthyen në një ditë banketi e gëzimi.

18. Judenjtë që ishin në Suza u grumbulluan përkundrazi ditën e trembëdhjetë dhe të katërmbëdhjetë; ditën e pesëmbëdhjetë të muajit u çlodhën, e bënë ditë banketi dhe gëzimi.

19. Për këtë arsye judenjtë e fushës, që banojnë në qytete pa mure, e kanë bërë ditën e katërmbëdhjetë të muajit të adarit një ditë gëzimi, banketesh dhe feste, dhe në këtë ditë i dërgojnë dhurata njëri-tjetrit.

Ester 9