1. Mbas këtyre ngjarjeve, mbreti Asuero e gradoi Hamanin, birin e Hamedathas, agagitit, e ngriti në rang dhe e vuri karrigen e tij mbi atë të të gjithë princave që ishin me të.
2. Tërë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e mbretit përkuleshin dhe binin përmbys para Hamanit, sepse kështu kishte urdhëruar mbreti për të. Por Mardokeu as përkulej, as binte përmbys.
3. Atëherë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e tij i thanë Mardokeut: "Pse e shkel urdhrin e mbretit?".
4. Por, me gjithë se ia përsërisnin çdo ditë këtë urdhër, ai nuk i dëgjonte; prandaj ata ia njoftuan këtë gjë Hamanit, për të parë në se Mardokeu do të ngulte këmbë në qëndrimin e tij. Ai në fakt u kishte thënë atyre së ishte jude.
5. Kur Hamani pa që Mardokeu nuk përkulej as binte përmbys para tij, u zemërua shumë;
6. por nuk denjoi të shtrijë dorën e tij vetëm kundër Mardokeut, sepse e kishin njoftuar cilit popull i përkiste Mardokeu; kështu Hamani vendosi të shkatërrojë tërë judenjtë, popullin e Mardokeut, që gjendeshin në tërë mbretërinë e Asueros.
7. Në muajin e parë, që është muaji i nisanit, në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Asuero, në prani të Hamanit, u hodh Puri (domethënë u hodh shorti), për të vendosur ditën dhe muajin; dhe shorti ra mbi ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i adarit.
8. Atëherë Hamani i tha mbretit Asuero: "Ka një popull të shpërndarë dhe të veçuar nga popujt e të gjitha krahinave të mbretërisë sate, ligjet e të cilit ndryshojnë nga ato të cilitdo populli tjetër dhe që nuk respekton ligjet e mbretit; prandaj mbreti nuk ka asnjë përfitim t'i lërë të gjallë.