6. Kishte çadra të bardha dhe ngjyrë vjollce, që vareshin me kordonë të kuq flakë në unaza prej argjendi dhe në shtylla prej mermeri. Kishte divanë prej ari dhe prej argjendi mbi një dysheme prej mermeri të kuq dhe të bardhë, prej sedefi dhe alabastri.
7. Jepej për të pirë në enë ari, njëra e ndryshme nga tjetra, dhe kishte verë mbretërore me shumicë për hir të bujarisë së mbretit.
8. Në bazë të ligjit, askush nuk ishte i detyruar të pinte; në fakt mbreti kishte urdhëruar tërë funksionarët e shtëpisë së tij t'i shërbenin secilit atë që dëshironte.
9. Edhe mbretëresha Vashti shtroi një banket për gratë në pallatin e mbretit Asuero.
10. Ditën e shtatë, kur zemra e mbretit ishte e gëzuar për shkak të verës, ai urdhëroi Mehumanin, Bizthan, Harbonan, Bigthan, Abagthan, Zetharin dhe Karkasin, të shtatë eunukët që shërbenin në prani të mbretit Asuero,
11. të sillnin para mbretit mbretëreshën Vashti me kurorën mbretërore, për t'i treguar popullit dhe princave bukurinë e saj; në të vërtetë ajo kishte një pamje të hijshme.
12. Por mbretëresha Vashti nuk pranoi të vinte sipas urdhrit të mbretit që iu njoftua me anë të eunukëve; mbreti u pezmatua shumë dhe zemërimi i tij i ziente përbrenda.
13. Atëherë mbreti pyeti dijetarët që njihnin kohërat (kjo ishte në fakt mënyra e veprimit të mbretit me gjithë ata që njihnin ligjin dhe drejtësinë;
14. me të afërt për të ishin Karshena, Shethari, Admatha, Tarshishi, Meresi, Marsena dhe Memukani, shtatë princa të Persisë dhe të Medisë që pranoheshin të rrinin para mbretit dhe zinin postet e para në mbretëri):
15. "Sipas ligjit çfarë duhet t'i bëhet mbretëreshës Vashti, që nuk zbatoi urdhrin e mbretit Asuero që iu transmetua me anë të eunukëve?".