Ester 1:12-22 Bibla Shqip (ALBB)

12. Por mbretëresha Vashti nuk pranoi të vinte sipas urdhrit të mbretit që iu njoftua me anë të eunukëve; mbreti u pezmatua shumë dhe zemërimi i tij i ziente përbrenda.

13. Atëherë mbreti pyeti dijetarët që njihnin kohërat (kjo ishte në fakt mënyra e veprimit të mbretit me gjithë ata që njihnin ligjin dhe drejtësinë;

14. me të afërt për të ishin Karshena, Shethari, Admatha, Tarshishi, Meresi, Marsena dhe Memukani, shtatë princa të Persisë dhe të Medisë që pranoheshin të rrinin para mbretit dhe zinin postet e para në mbretëri):

15. "Sipas ligjit çfarë duhet t'i bëhet mbretëreshës Vashti, që nuk zbatoi urdhrin e mbretit Asuero që iu transmetua me anë të eunukëve?".

16. Memukami u përgjigj para mbretit dhe princave: "Mbretëresha Vashti nuk ka vepruar drejt vetëm ndaj mbretit, por edhe ndaj gjithë princave dhe tërë popujve që janë në të gjitha krahinat e mbretit Asuero.

17. Sjellja e mbretëreshës do të merret vesh nga të gjitha gratë që do të nxiten të përçmojnë burrat e tyre dhe të thonë: "Mbreti Asuero kishte urdhëruar që të sillnin para tij mbretëreshën Vashti, por ajo nuk i vajti".

18. Madje që sot princeshat e Persisë dhe të Medisë që kanë marrë vesh sjelljen e mbretëreshës, do t'u flasin gjithë princave të mbretit dhe nga kjo do të lindë shumë përçmim dhe zemërim.

19. Në qoftë se mbretit i duket me vend, le të nxjerrë ai një urdhëresë mbretërore që të përfshihet në ligjet e Persisë dhe të Medisë dhe të jetë e parevokueshme, në bazë të së cilës Vashti të mos dalë më në prani të mbretit Asuero; mbreti ti japë pastaj pozitën e saj mbretërore një tjetre më të mirë se ajo.

20. Kur urdhëresa e nxjerrë nga mbreti do të njoftohet në tërë mbretërinë e tij, që është e gjerë, tërë gratë do të nderojnë bashkëshortët e tyre, nga më i madhi deri te më i vogli".

21. Ky propozim i pëlqeu mbretit dhe princave, dhe mbreti bëri ashtu si kishte thënë Memukani;

22. dërgoi letra në të gjitha krahinat e mbretërisë, çdo krahine sipas shkrimit të saj dhe, çdo populli sipas gjuhës së tij, në mënyrë që çdo burrë të ishte zot në shtëpinë e tij dhe të fliste gjuhën e popullit të tij.

Ester 1