5. Përveç kësaj rekrutuan disa këshilltarë kundër tyre për të hedhur poshtë qëllimin e tyre, dhe këtë e bënë gjatë gjithë kohës së Kirit, mbretit të Persisë, deri në mbretërimin e Darit, mbretit të Persisë.
6. Gjatë mbretërimit të Asueros, në fillim të mbretërimit të tij, ata shkruan një letër me akuza kundër banorëve të Judës dhe të Jeruzalemit.
7. Më vonë, në kohën e Artakserksit, Bishlami, Mithredathi, Tabeeli dhe kolegët e tjerë të tyre i shkruan Artakserksit, mbretit të Persisë. Letra ishte shkruar me shkronja aramaike dhe ishte përkthyer në gjuhën aramaike.
8. Rehumi, qeveritari, dhe Shimshai, sekretari, i shkruan mbretit Artakserks një letër kundër Jeruzalemit me këtë përmbajtje:
9. "Rehumi, qeveritari, Shimshai, sekretari, dhe kolegët e tyre të tjerë, dinaitët, afarsathkitët, tarpelitët, afaresitët, arkevitët, babilonasit, shushankitët, dehavitët, elamitët,
10. dhe popujt e tjerë që i madhi dhe i famshmi Osnapar ka internuar dhe ka vendosur në qytetin e Samarisë dhe në pjesën tjetër të krahinës matanë Lumit, e të tjera".
11. Ja kopja e letrës që ata i dërguan: "Mbretit Artakserks, nga shërbëtorët e tu, njerëzit e krahinës matanë Lumit, e të tjera.
12. T'i njoftohet mbretit që judenjtë, që ikën nga ti dhe kanë ardhur pranë nesh në Jeruzalem, janë duke rindërtuar qytetin rebel të keq, po rindërtojnë muret dhe po ndreqin themelet.
13. Tani t'i bëhet e njohur mbretit që në rast se ky qytet rindërtohet dhe muret e tij përfundohen, ata nuk do të paguajnë asnjë haraç, tatim ose taksë për kalim, dhe thesari i mbretit do të ketë pasoja.