Eksodi 6 Bibla Shqip (ALBB)

1. Zoti i tha Moisiut: "Tani ke për të parë çfarë kam për t'i bërë Faraonit; sepse i detyruar nga një dorë e fuqishme ai do t'i lërë të shkojnë; po, i detyruar nga një dorë e fuqishme do t'i dëbojë nga vendi i tij".

2. Pastaj Zoti i foli Moisiut dhe i tha: "Unë jam Zoti,

3. dhe i jam shfaqur Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, si Perëndi i plotfuqishëm; por ata nuk më kishin njohur kurrë me emrin tim, Zot.

4. Kam caktuar gjithashtu besëlidhjen time me ta, duke u premtuar se do t'u jap vendin e Kanaanit, vendin ku qëndruan si të huaj.

5. Dëgjova edhe kujën e bijve të Izraelit që egjiptasit i mbajnë në skllavëri dhe m'u kujtua besëlidhja ime.

6. Prandaj u thuaj bijve të Izraelit: "Unë jam Zoti; do t'ju heq nga punët e rënda që ju kanë imponuar egjiptasit, do t'ju çliroj nga skllavërimi i tyre dhe do t'ju çliroj me krah të shtrirë dhe ndëshkime të mëdha.

7. Do t'ju marr si popullin tim, dhe do të jem Perëndia juaj; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju heq nga punët e rënda të imponuara nga egjiptasit.

8. Dhe do t'ju bëj të hyni në vendin, që u betova t'i jap Abrahamit, Isakut dhe Jakobit; dhe do t'jua jap atë në trashëgimi. Unë jam Zoti"".

9. Kështu u foli Moisiu bijve të Izraelit; por ata nuk ia vunë veshin Moisiut, nga shkaku i ankthit dhe i skllavërisë së rëndë.

10. Zoti i foli edhe më Moisiut, duke i thënë:

11. "Shko, foli Faraonit, mbretit të Egjiptit, që të lejojë bijtë e Izraelit të dalin nga vendi i tij".

12. Por Moisiu foli përpara Zotit dhe i tha: "Ja, bijtë e Izraelit nuk më dëgjuan; si mundet Faraoni të më dëgjojë mua, që jam i parrethprerë në buzë?".

13. Por Zoti i foli Moisiut dhe Aaronit dhe i urdhëroi të shkonin te bijtë e Izraelit dhe te Faraoni mbret i Egjiptit, me qëllim që t'i nxirrnin bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit.

14. Këta janë kryetarët e familjeve të tyre. Bijtë e Rubenit, të parëlindurit të Izraelit qenë: Hanoku dhe Pallu, Hetsroni dhe Karmi. Këto qenë familjet e Rubenit.

15. Bijtë e Simeonit qenë: Jemueli, Jamini, Ohadi, Jakini, Tsohari dhe Sauli, bir i kanaaneases. Këto qenë familjet e Simeonit.

16. Këta janë emrat e bijve të Levit, sipas brezave të tyre: Gershomi, Kehathi dhe Merari. Levi jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.

17. Bijtë e Gershomit qenë: Libni dhe Shimej, bashkë me familjet e tyre.

18. Bijtë e Kehathit qenë: Amrami, Jitshari, Hebroni dhe Ucieli. Kehathi jetoi njëqind e tridhjetë e tre vjet.

19. Bijtë e Merarit qenë: Mahli dhe Mushi. Këto qenë edhe familjet e levitëve sipas brezave të tyre.

20. Amrami mori për grua Jokebedën, motrën e atit të tij; dhe ajo i lindi Aaronin dhe Moisiun. Amrami jetoi njëqind e tridhjetë e shtatë vjet.

21. Bijtë e Itsharit qenë: Koreu, Nefegu dhe Zikri.

22. Bijtë e Ucielit qenë: Mishaeli, Eltsafani dhe Sitri.

23. Aaroni mori për grua Elishebën, të bijën e Aminadabit dhe motër e Nahashonit; dhe ajo i lindi Nadabin, Abihun, Eleazarin dhe Ithamarin.

24. Bijtë e Koreut qenë: Asiri, Elkanahu dhe Abiasafi. Këto qenë familjet e Koreut.

25. Eleazari, bir i Aaronit, mori për grua një nga bijat e Putielit; dhe ajo i lindi Fineasin. Këta qenë të parët e etërve të levitëve në familjet e tyre.

26. Dhe këta janë vet Aaroni dhe Moisiu, të cilëve Zoti u tha: "Nxirrini bijtë e Izraelit nga vendi i Egjiptit, sipas rendit të tyre".

27. Këta janë ata që i folën Faraonit mbretit të Egjiptit për të nxjerrë bijtë e Izraelit nga Egjipti; ata janë vetë Moisiu dhe Aaroni.

28. Por erdhi dita kur Zoti i foli Moisiut në vendin e Egjiptit,

29. kur Zoti iu drejtua Moisiut dhe i tha: "Unë jam Zoti! Thuaji Faraonit, mbretit të Egjiptit, tërë ato që po të them".

30. Atëherë Moisiu u përgjigj kështu para Zotit: "Ja, unë jam i parrethprerë në buzë; prandaj si mund të më dëgjojë Faraoni?".