Eksodi 5:6-19 Bibla Shqip (ALBB)

6. Kështu po atë ditë Faraoni i urdhëroi shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij, duke thënë:

7. "Mos i jepni më kashtë popullit për të bërë tulla, si më parë; le të shkojnë ata vetë të mbledhin kashtën!

8. Por i detyroni të prodhojnë të njëjtën sasi tullash që bënin më parë, pa asnjë pakësim; sepse ata janë përtacë, dhe për këtë arsye ata bërtasin, duke thënë: "Të shkojmë të bëjmë fli për Perëndinë tonë!".

9. I mbingarkoni me punë të rëndë këta njerëz, dhe ata ta kryejnë pa u vënë veshin fjalëve mashtruese".

10. Atëherë shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij dolën dhe i thanë popullit: "Kështu thotë Faraoni: "Unë nuk do t'ju jap më kashtë.

11. Shkoni vetë ta gjeni kashtën ku mund të jetë, sepse puna juaj nuk do të pakësohet aspak"".

12. Kështu populli u shpërnda në të gjithë vendin e Egjiptit, për të mbledhur kallamishte në vend të kashtës.

13. Dhe kontrollorët i nxisnin duke thënë: "Përfundoni punën tuaj çdo ditë si në kohën kur kishte kashtë!".

14. Dhe kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit, të caktuar mbi ta nga kontrollorët e Faraonit, i rrahën dhe i pyetën: "Pse nuk e keni përfunduar, dje dhe sot si më parë, sasinë e caktuar të tullave?".

15. Atëherë kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit erdhën për të protestuar te Faraoni, duke thënë: "Pse sillesh kështu me shërbëtorët e tu?

16. Nuk u jepet më kashtë shërbëtorëve të tu, dhe na thuhet: "Bëni tulla!". Dhe ja, shërbëtorët e tu i rrahin, por faji është i popullit tënd".

17. Atëherë ai u përgjigj: "Jeni përtacë, shumë përtacë! Për këtë arsye thoni: "Të bëjmë fli për Zotin".

18. Shkoni, pra, të punoni! Nuk do t'ju jepet kashtë, por do të dorëzoni po atë sasi tullash".

19. Kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit u bindën se i gjeti halli, sepse u thuhej: "Mos e pakësoni në asnjë mënyrë numrin e caktuar të tullave për çdo ditë".

Eksodi 5