5. Faraoni tha përsëri: "Ja, tani populli i vendit është i shumtë, dhe ju doni që ai të ndërpresë mundimet e tij".
6. Kështu po atë ditë Faraoni i urdhëroi shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij, duke thënë:
7. "Mos i jepni më kashtë popullit për të bërë tulla, si më parë; le të shkojnë ata vetë të mbledhin kashtën!
8. Por i detyroni të prodhojnë të njëjtën sasi tullash që bënin më parë, pa asnjë pakësim; sepse ata janë përtacë, dhe për këtë arsye ata bërtasin, duke thënë: "Të shkojmë të bëjmë fli për Perëndinë tonë!".
9. I mbingarkoni me punë të rëndë këta njerëz, dhe ata ta kryejnë pa u vënë veshin fjalëve mashtruese".
10. Atëherë shtypësit e popullit dhe kryeintendentët e tij dolën dhe i thanë popullit: "Kështu thotë Faraoni: "Unë nuk do t'ju jap më kashtë.
11. Shkoni vetë ta gjeni kashtën ku mund të jetë, sepse puna juaj nuk do të pakësohet aspak"".
12. Kështu populli u shpërnda në të gjithë vendin e Egjiptit, për të mbledhur kallamishte në vend të kashtës.
13. Dhe kontrollorët i nxisnin duke thënë: "Përfundoni punën tuaj çdo ditë si në kohën kur kishte kashtë!".
14. Dhe kryepunëtorët e skuadrave të bijve të Izraelit, të caktuar mbi ta nga kontrollorët e Faraonit, i rrahën dhe i pyetën: "Pse nuk e keni përfunduar, dje dhe sot si më parë, sasinë e caktuar të tullave?".