1. Tani Betsaleeli dhe Oholiabi si dhe të gjithë njerëzit e aftë, të cilët Zoti i ka pajisur me dituri dhe zgjuarsi për të kryer të gjitha punimet për shërbimin e shenjtërores, kanë për të vepruar sipas urdhrave të Zotit".
2. Moisiu thirri, pra, Betsaleelin dhe Oholiabin dhe të gjithë njerëzit e urtë nga zemra, të cilët shtyheshin nga zemra për t'i hyrë punës dhe për ta kryer atë.
3. Dhe ata morën nga Moisiu të gjitha ofertat e sjella nga bijtë e Izraelit për punimet për ndërtimin e shenjtërores dhe kryerjen e tyre. Por çdo mëngjes bijtë e Izraelit vazhdonin t'i sillnin Moisiut oferta vullnetare.
4. Atëherë të gjithë njerëzit e aftë që kryenin punime të çfarëdo lloji në shenjtërore, duke lënë secili punën që bënte, erdhën
5. dhe i folën Moisiut, duke thënë: "Populli po sjell shumë më tepër nga sa nevojitet për të kryer punimet që Zoti ka urdhëruar të bëhen".
6. Atëherë Moisiu dha këtë urdhër që u shpall nëpër kamp, duke thënë: "Asnjë burrë dhe asnjë grua të mos bëjë më ndonjë ofertë për shenjtëroren". Kështu e ndaluan popullin të sillte tjetër material.
7. Sepse materiali që kishin mjaftonte për të gjitha punimet që kishin për të bërë, madje tepronte.
8. Tërë njerëzit e aftë, midis atyre që punonin për ndërtimin e tabernakullit, bënë dhjetë pëlhura prej liri të hollë të përdredhur dhe me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe; ai i bëri me kerubinë të punuar artistikisht.
9. Çdo pëlhurë kishte një gjatësi dhe një gjerësi prej katër kubitësh; të gjitha pëlhurat kishin të njëjtën masë.
10. Ai bashkoi pesë pëlhura, dhe bashkoi gjithashtu pesë pëlhurat e tjera.
11. Dhe bëri sythe ngjyrë vjollce mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë të pëlhurave; bëri të njëjtën gjë në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë.
12. Ai bëri pesëdhjetë sythe mbi pëlhurën e parë dhe bëri gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë; sythet korrespondonin njëri me tjetrin.