1. Zoti i tha Moisiut: "Preji dy pllaka guri ashtu si të parat; dhe unë do të shkruaj mbi pllakat fjalët që ishin mbi pllakat e para që theve.
2. Kështu ji gati në mëngjes dhe ngjitu në mëngjes në malin Sinai, dhe qëndro aty afër meje në majë të malit.
3. Askush të mos ngjitet bashkë me ty dhe të mos duket asnjeri në tërë malin; as kope me bagëti të imët a të trashë përreth këtij mali".
4. Kështu Moisiu preu dy pllaka guri, si të parat; u ngrit herët në mëngjes dhe u ngjit në malin Sinai ashtu siç e kishte urdhëruar Zoti, dhe mori në dorë të dyja pllakat prej guri.
5. Atëherë Zoti zbriti në renë dhe u ndal aty pranë tij, dhe shpalli emrin e Zotit.
6. Dhe Zoti kaloi pranë tij dhe thirri: "Zoti, Perëndia i përjetshëm, i mëshirshëm dhe i dhembshur, i ngadalshëm në zemërim, i pasur në mirësi dhe në besnikëri,
7. që përdor mëshirën për mijëra njerëz, që fal padrejtësinë, shkeljet dhe mëkatin por nuk e lë të pandëshkuar fajtorin, dhe që viziton padrejtësinë e etërve mbi bijtë dhe mbi bijtë e bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt".
8. Dhe Moisiu nxitoi të përkulet deri në tokë, dhe adhuroi.