Eksodi 32:4-13 Bibla Shqip (ALBB)

4. i cili i mori nga duart e tyre dhe, mbasi i modeloi me daltë, bëri një viç prej metali të shkrirë. Atëherë ata thanë: "O Izrael, ky është perëndia yt që të nxori nga vendi i Egjiptit!".

5. Kur Aaroni pa këtë, ngriti një altar përpara tij dhe vuri kasnecë që thanë: "Nesër do të jetë festë për nder të Zotit!".

6. Të nesërmen ata u ngritën herët, ofruan holokauste dhe çuan fli falënderimi; populli u ul për të ngrënë e për të pirë, pastaj u ngrit për të dëfryer.

7. Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Tani shko, zbrit, sepse populli yt, që ti nxore nga vendi i Egjiptit, është korruptuar;

8. u larguan shpejt, janë përdalë nga rruga që unë e kisha urdhëruar të ndiqte; bëri një viç prej metali të shkrirë, u përkul para tij, i ofroi flijime dhe tha: "O Izrael, kjo është perëndia jote që të nxori nga vendi i Egjiptit"".

9. Zoti i tha akoma Moisiut: "E pashë këtë popull, dhe ja, është një popull me qafë të fortë.

10. Më lër, pra, të veproj, në mënyrë që zemërimi im të ndizet kundër tyre dhe t'i konsumoj; por nga ti do të bëj një komb të madh".

11. Atëherë Moisiu e luti Zotin, Perëndinë e tij, dhe i tha: "Pse, o Zot, zemërimi yt duhet të ndizet kundër popullit tënd që e nxore nga vendi i Egjiptit me fuqi të madhe dhe me dorë të fortë?

12. Pse duhet që egjiptasit të thonë: "Ai i nxori për t'ju bërë të keq, që të vriten mbi malet dhe për t'i shfarosur nga faqja e dheut"? Hiq dorë nga zemërimi yt i zjarrtë dhe nga qëllimi yt për t'i bërë keq popullit tënd.

13. Kujto Abrahamin, Isakun dhe Izraelin, shërbëtorë të tu, të cilëve u je betuar mbi veten tënde, duke u thënë atyre: "Unë do të shumëzoj pasardhësit tuaj si yjet e qiellit dhe do t'u jap pasardhësve tuaj tërë atë vend për të cilin të fola, dhe ata do ta zotërojnë përjetë"".

Eksodi 32