Eksodi 3:1-16 Bibla Shqip (ALBB)

1. Ndërkaq Moisiu po kulloste kopenë e Jethros, vjehrrit të tij dhe prift i Midianit; ai e çoi kopenë matanë shkretëtirës dhe arriti në malin e Perëndisë, në Horeb.

2. Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishteje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej.

3. Atëherë Moisiu tha: "Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po konsumohet!".

4. Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: "Moisi, Moisi!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam".

5. Perëndia tha: "Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë".

6. Pastaj tha dhe këto fjalë: "Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit". Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë.

7. Pastaj Zoti tha: "Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij.

8. Kështu zbrita për ta çliruar nga dora e egjiptasve dhe për ta çuar nga ky vend në një vend të mirë dhe të hapur, në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, në vendin ku ndodhen kanaanenjtë, hitenjtë, amorenjtë, perezenjtë, hivenjtë dhe jebusenjtë.

9. Dhe tani, ja britma e bijve të Izraelit ka arritur deri tek unë, dhe kam parë gjithashtu se si egjiptasit i shtypin.

10. Prandaj eja dhe unë do të të dërgoj te Faraoni me qëllim që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti".

11. Por Moisiu i tha Perëndisë: "Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t'i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?".

12. Perëndia tha: "Unë do të jem me ty, dhe kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t'i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal".

13. Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: "Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t'u them: "Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju", po të jetë se ata më thonë: "Cili është emri i tij?", ç'përgjigje duhet t'u jap?".

14. Perëndia i tha Moisiut: "UNË JAM AI QË JAM". Pastaj tha: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "UNË JAM-i më ka dërguar tek ju"".

15. Perëndia i tha akoma Moisiut: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë".

16. Shko dhe mblidh pleqtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit m'u shfaq, duke thënë: Unë patjetër ju kam vizituar dhe kam parë atë që ju bëjnë në Egjipt;

Eksodi 3